Partia Socialiste e konsideron qesharake protestën e zhvilluar sot përpara Njësisë Nr.4 në Tiranë dhe akuzon kreun e bashkisë, Lulzim Basha se po keqpërdor njerëz në nevojë. Sipas PS-së në protestë janë përdorur edhe punonjës të Ministrisë së Brendshme, të njësisë 4 dhe ISKSH-së.
PS ka zbardhur edhe emrat dhe funksionet e disa prej protestuesve të sotëm; Ervin Goxhaj, Punonjës në Drejtorinë e Sekuestrimeve në Ministrinë e Brendshme, Gramoz Çela, Përgjegjës Sektori, Njësia 4, Nushe Hoxha, Përgjegjëse Sektori në ISKSH, Hekuran Halili, Këshilltar i PD në Njësinë 4 dhe Lela Tomini, Punonjëse në Njësinë 4.
Ndërkohë PS-së i është përgjigjur edhe akuzave të hedhura sot në protestë. “Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Njësisë Nr.4 në kryeqytet, nuk janë bërë në asnjë moment pengesë për shpërndarjen e ndihmës ekonomike për qytetarët e kësaj njësie. Ndihma ekonomike siç pohuan edhe për mediat vetë banorët e keqpërdorur shpërndahet në çdo datë 20. Kujtojmë sot është data 18 prill??!!”, thuhet në deklaratën e PS-së.
18 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)