Partia Socialiste ka denoncuar abuzimet e ministrive të kabinetit Berisha me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Deputeti Eduart Shalsi ka vijuar me denoncimin e radhës me shpenzimet abuzive të Ministrisë së Integrimit për festimet me rastin e liberalizimit të vizave.


Deputeti Shalsi tha se padikutim shqiptarët e meritonin të festonin këtë ngjarje historike, por shpenzimet janë marramëndëse,në një kohë kur Shqipëria është zhytur në një krizë të rëndë ekonomike.


“Ndërsa shqiptarët i ka zhytur në mizerje ekonomike Sali Berisha flet për mrekulli ekonomike dhe shpenzon pa kurrëfarë droje para publike pa pyetur aspak për nevojat e shqiptarëve. Vetëm për dy-tre ditë, Sali Berisha dhe Qeveria e tij ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. I mbani ato tabelat nëpër semaforët e Tiranës që tregonin kryeqytetet e Europës? Po fishekzjarret, po atë ahengun e madh në sheshin ‘Nënë Tereza’? Pikërisht për to ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. Siç e tregon edhe dokumenti ku për organizimin e eventit janë shpenzuar 92 milionë lekë të reja”, tha Shalsi. Për deputetin socialist, kjo qeveri dhe Sali Berisha meritojnë dhe duhet te marrin dy leksione: një nga populli me votë dhe një nga drejtësia.


“Duhet të festonin shqiptarët liberalizimin e vizave? Natyrisht që po, shqiptarët e meritonin, po kurrësesi në shifra të tilla marramendëse. Në një kohë kur Sali Berisha thotë se nuk kam para për të dëmshpërblyer të përmbyturit e Shkodrës, kur thotë se nuk ka para për të kompensuar pronarët e tokës, kur u pret fondet të verbërve, tetra dhe paraplegjikëve, kur nuk u jep para ish-të përndjekurve thotë dhe shpenzon miliona euro”, denoncoi Shalsi.


24 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)