Festa


Kreu i grupit parlamentar të opozitës, akuza mazhorancës për 100-vjetorin


Në seancën e djeshme parlamentare është debatuar dhe për ditën e festimeve të pavarësisë, ku është përfolur se qeveria do të ngrejë flamurin si simbolikë të 100-vjetorit më 28 nëntor, jo në Vlorë, por në Tiranë. Debatin për këtë çështje e hapi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili i kërkoi opozitës që votojë tri ligjet e reformave që kërkon Bashkimi Europian. “Në mbledhjen e grupit të PS-së ka zënë vendin kryesor se kur dhe ku do të ngrihet flamuri i 100-vjetorit. Një paranojë e Edi Ramës apo një devijim i qëllimshëm i axhendës politike të opozitës, pak rëndësi ka. Mos kërkoni kot një tradhtar midis jush, sepse sekretin e ka nxjerrë Pandeli Majko në TV. E ka bërë me leje, apo pa leje, kjo nuk na takon ne, është problem i tij. Asnjë fjalë për statusin, asnjë fjalë për rolin dhe përgjegjësinë e opozitës. Ndërkohë që koha rrjedh në mënyrë të pakthyeshme dhe 28 nëntori po afron me shpejtësi”, tha Patozi. Ndërsa në replikën e tij, Ruçi deklaroi se Kryeministri nuk e zhbën qytetin e Flamurit, Vlorën. “Thatë, këtu në Parlament, se nuk ka rëndësi për 100-vjetorin as kur ngrihet flamuri, e theksoj as kur, dhe as ku. Ky është një problem shumë i madh për Shqipërinë. Se kur ngrihet flamuri e kanë vendosur shqiptarët dhe Ismail Qemali, në 28 Nëntor, ju e diskutoni pas 100 vjetësh. Se ku ngrihet flamuri përsëri e kanë vendosur shqiptarët në të gjitha trevat ku ka shqiptarë, në Vlorë. Kurse ju sot pikërisht këtë diskutoni, doni të zhbëni pikërisht atë datë 28, doni të zhbëni pikërisht atë Vlorë. Ne jemi këtu të mos ju lëmë juve dhe nuk jeni juve as Dita e Flamurit, as Dita e Pavarësisë dhe as Kryeqyteti i Pavarësisë. Janë Shqipëria dhe janë shqiptarët kudo që janë. Këtë mos e harroni!”, tha Ruçi, ndërsa theksoi më tej se “Kemi 100-vjetorin e pavarësisë apo 100 vjetorin e monarkisë? Kjo është pyetja që shtroni juve! Sikur ju dhimbsen edhe eshtrat e Mbretit Zog që do t’i sillni në datën 28 dhe do ta varrosni në datën 28. Po t’u dhimbsej, të birin e tij nuk e përzinit në 1994, “non grata” nga Shqipëria. Po sot ju kërkohet se jeni para fushatës elektorale dhe kërkoni ca vota të monarkistëve. Kërkoni të zhbëni atë që kanë bërë në historinë e tyre shqiptarët”. Topalli replikoi duke iu drejtuar opozitës se “Firmëtarët e aktit të Pavarësisë i vratë, përfshi edhe fëmijët e tyre. Së pari shkoni dhe nderoni ata që vratë, minimumi. I vratë, Xhorxh Uashingtonin shqiptar, Medisonin shqiptar, Benxhamin Freklin shqiptar, baballarët e kombit tonë, përshi fëmijët e tyre. Ndodh në ndonjë komb tjetër? Të falur nuk mund të kërkoni, për vrasjen e patriotëve që firmosën certifikatën e kombit shqiptar, të ardhur në Vlorë nga të gjitha viset shqiptare? Më fal nuk mund të thoni pas 100 viteve? Po ligjet që kërkon integrimi nuk mund t’i votoni për 100-vjetorin? Kaq nuk mund ta bëni, se jemi shqiptarë, jemi shqiptarë!”.