Takimi


Kreu i degës së PS-së në Greqi, shpjegon takimin me shefin e diplomacisë helene


Artjan QiriciPartia Socialiste po vijon t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet mes Tiranës dhe Athinës në lidhje me problemin e toponimeve, gjë që ka shkaktuar probleme të vazhdueshme për emigrantët shqiptarë, që duan të kalojnë pushimet në Shqipëri. Problemet kanë qenë kryesisht për fëmijët, që në pasaporta kanë vendlindjet e tyre të shkruar në gjuhën shqipe, gjë që nuk pranohet nga autoritetet kufitare greke. Dhe në kuadër të takimit që u zhvillua të mërkurën e kaluar për këtë çështje, mes ministrit të Jashtëm grek Venizelos dhe ambasadorit tonë në Athinë, Partia Socialiste, me anë të kryetarit të saj në Greqi, Artjan Qirici, që ishte i pranishëm në këtë takim, ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të kësaj çështjeje. “Të gjithë kërkojmë një zgjidhje të këtij problemi, ashtu sikurse edhe shumë të tjerave”- shprehet në faqen e tij zyrtare kreu i degës së PS-së në Greqi, duke i kthyer përgjigje emigrantëve shqiptarëve që shprehnin shqetësimin e tyre në lidhje me këtë problem. Duke vijuar më tej, Artjan Qirici theksoi dje se “jemi duke bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që problemi i toponimisë të zgjidhet tani provizorisht, sepse edhe periudha e pushimeve po kalon dhe, për pasojë, kjo pengesë të ndikojë në mënyrë vendimtare në programin e çdo familjeje për këtë”, theksoi Qirici. Nga ana tjetër, kreu i PS-së i emigracionit në Greqi, shprehet i bindur se me betimin e qeverisë së re ky problem do të marrë rrugën e zgjidhjes përfundimtare. “Kemi njoftim nga sektori i PASOK-ut për emigracionin se kërkesa jonë është në rrugën e zgjidhjes dhe mbase, që nesër, kemi konfirmimin zyrtar për lëvizjen e lirë të fëmijëve tanë gjatë periudhës së verës”,thekson Artjan Qirici.