
Pas akuzave të bëra nga kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj në drejtim të Martin Cubit, ka reaguar Partia Socialiste. Selia rozë ka sqaruar se Cubi nuk ishte agresori, por viktima e sulmit dhe se ai është shpallur i pafajshëm.
“Qoftë vendimi i gjykatës në shkallën e parë, qoftë vendimi i formës së prerë në apel e kanë nxjerrë ish-kryetarin e Komunës të pafajshëm, duke konfirmuar faktin se arma ka qenë me leje dhe është përdorur vetëm për qëllime vetëmbrojtëse. Për më tepër, është e pavërtetë që personi në fjalë është emëruar në krye të Partisë Socialiste Shkodër, por ai mban detyrën e koordinatorit të PS-së për ish-komunat e Shkodrës”, thuhet në reagimin e Partisë Socialiste.
Gjithashtu PS deklaron se asnjë individ që preket nga kriteret e ligjit të dekriminalizimit nuk mund të zgjidhet si pjesë e tyre.
“Asnjë individ që preket nga kriteret e ligjit në fjalë, nuk do të mund të zgjidhet brenda strukturave të Partisë Socialiste, as drejtues i PS-së në njësitë vendore dhe as delegat i Kongresit të saj”, mbyllet reagimi i Partisë Socialiste.
Martin Cubi: Kam qëlluar për vetëmbrojtje
Me herët ka reaguar edhe Martin Cubi. Sipas Cubit, Alibeaj po gënjen dhe dezinformon qytetarët shqiptarë. Ai sqaron se në vitin 2009 është qëlluar me thikë në qafë dhe në kushtet e vetëmbrojtjes ka qëlluar autorin.
“Asnjë qytetar I këtij vendi nuk më njeh si person me rrezikshmëri shoqërore, por përkundrazi duke qenë prej 15 vitesh kryetar I komunës Pult në Dukagjin, një zonë që persekutohej nga Partia Demokratike pasi votonte majtas, kam qëndruar pranë komunitetit ne zgjidhjen e halleve të tyre të përditshme. E vërteta për atë që gënjeshtari Alibeaj më quan ‘vrasës’, ’bandit është kjo : Më datën 27 Prill të vitit 2009, pak metra larg spitalit Rajonal të Shkodrës, jam goditur rëndë me thikë në pjesën e qafës. Në kushtet e vetëmbrojtjes kur agresori tentoi të më godiste sërish me thikë, kam nxjerr armën që mbaja me leje dhe kam qëlluar në drejtim të autorit, I cili për fat te keq humbi jetën. Unë kam shpëtuar nga kjo ngjarje vetëm falë faktit që ndodhesha fare pranë spitalit ku ndihma ishte e menjëhershme, pasi plaga ishte shume serioze”, sqaron Martin Cubi.
Veç kësaj, ai deklaron se është shpallur i pafajshëm nga gjykata dhe kjo ka ndodhur në kohën kur Enkelejd Alibeaj ishte ministër drejtësie.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Gjykata e Apelit Shkodër në kohën kur ministër I Drejtësisë ishte vete Enkelejd Alibeaj , më kanë shpallur të pafajshëm. Kam shërbyer për 15 vjet si kryetar I Komunës Pult, i mandatuar nga vota e banorëve të kësaj zone, 8 vite prej të cilave në qeverisjen e PD-së. Kjo deklaratë e juaja Alibeaj me jep të drejtën t’ju këshilloj të gjeni një avokat të mirë për t’i dalë për zot këtyre shpifjeve”, përfundon ai.
PD: Rama mori në mbrojtje Cubin e tij
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë vazhduar përplasjet për Martin Cubin. Pas deklaratës së PS-së se Cubi është shpallur i pafajshëm, PD akuzon se socialistët po e mbrojnë me fanatizëm. Veç kësaj PD ka akuzuar edhe vëllain e Martin Cubit për vrasje.
Deklarata e plotë e PD-së
Edi Rama mori sot në mbrojtje me fanatizëm Cubin e tij, edhe pse ai është autor i një vrasje dhe këtë e pranon dhe vetë drejtuesi më i ri i PS në Shkodër.
Në fakt, Edi Rama po merr në mbrojtje skemën e tij që e ka vënë në funksion tashmë, duke strehuar në parti shumë prej drejtuesve, funksionarëve, deputetëve me të shkuar kriminale, që ai u hapi dyert dhe i promovoi.
Ajo çfarë po dëshmon Edi Rama, edhe pas miratimit të ligjit për dekriminalizimin, është një inkriminim i ri, kësaj radhe i partisë, të cilën po e mbush me banditë e trafikantë për ti ndërsyer nesër kundër votës së qytetarëve.
Partinë Socialiste të Lezhës, Ndokajve, Partinë Socialiste të Kurbinit, Prengajve, Partinë Socialiste të Krujës Bushit, e kështu me radhë.
Në kontrast të plotë me këtë inkriminim masiv të Ramës, Partia Demokratike jo vetëm dha shembuj para zgjedhjeve të fundit lokale, por ka ngritur prej tre muajsh në selinë e saj, komisionin e integritetit të figurave që drejtohet nga doktor Halim Kosova. Meqë e mbron deri në fund Cubin e tij në Shkodër, Partia Demokratike ka 3 pyetje për Z.Rama.
Përse zgjodhe t’i përfaqësosh socialistët e ndershëm të Shkodrës me një person të mirënjohur si problematik e që ka kryer me dorën e tij një vrasje, ndërsa ai mund të ishte një mjek, një inxhinier, një jurist, profesor, një mësues, apo një person me integritet që këtij qyteti nuk i mungojnë?
A keni dijeni së vëllai i madh i Cubit që i keni besuar partinë në Shkodër ka vrarë një sportist në këtë qytet, dhe vëllai i vogël ka vrarë dhe e kanë vrarë?
Meqë e keni kaq përzemër Cubin, a mund ti thoni publikut Z.Rama, me çfarë shume e bleu ai pafajësinë pas vrasjes, me 70 mijë apo me 80 mijë euro?
20 dhjetor 2015 (gazeta-Shqip.com)