Ristani punoi si ushtar i bindur i Berishës, vendimi qe antikushtetues.
Deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi deklaroi sot se vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për referendumin për ndalimin e importit të plehrave është i gabuar dhe dëshmi e funksionimit të KQZ si një zyrë e qeverisë.
“Me vendimin e djeshëm Ristani tregoi edhe një herë se është një ushtar i bindur i Berishës,” deklaroi Klosi. “Qytetarët kuptuan dje se ata nuk vlejnë asgjë përballë parave të industrisë. Vendimi i Ristanit është një shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë për një çështje shumë madhore,” vijoi më tej Klosi në një konferencë për shtyp.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi në unanimitet kërkesën e Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) për zhvillimin e një referendumi, pasi konstatoi se më shumë se 50 mijë shqiptarë patën firmosur pro zhvillimit të referendumit. Por nën propozimin e përfaqësuesit të Partisë Demokratike Njazi Kosovrasti, u vendos që vendimi për lejimin e zhvillimit të referendumit, të mos i dërgohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim menjëherë, por t’i dërgohej vetëm në 3 janarin e vitit të ardhshëm. Me këtë manovër, KQZ e shtyu zhvillimin e referendumit përtej fundit të vitit 2013, pasi ligji aktual ndalon zhvillimin e referendumeve gjashtë muaj para dhe tre muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Vendimi i KQZ pro zhvillimit të referendumit erdhi pas disa deklaratave të forta të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Alexander Arvizu ku kërkohej të mos u mohohej shqiptarëve e drejta për t’u shprehur përmes votës.
Referendumi kundër importit të plehrave konsiderohet si një akt i rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri pasi për herë të parë qytetarët ngrihen për të ndaluar një vendim të qeverisë.
Rruga drejt realizimit të referendumit të parë të kërkuar me firma nga popullsia është ende plot me pengesa. Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta anulojë kërkesën, siç ka të drejtë edhe presidenti i Republikës, i cili duhet të japë miratimin përfundimtar.
Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve u miratua në shtator 2011 pa shumë debat dhe vetëm rastësisht, grupet ambjentaliste mësuan se në ligj gjendeshin disa nene që lejonin në mënyrë eksplicite importimin e mbetjeve në Shqipëri. Media më pas zbuloi se disa kompani kishin filluar të investonin që para miratimit të ligjit për të përfituar nga biznesi i ri.
29 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)