Partia Socialiste ka vijuar ditën e sotme të denoncojë dështimet e qeverisë në kudër të fushatës së saj ‘100 arsye për të mos votuar Berishën’. Në fokus të deklaratës së sotme të selisë rozë ka qenë sistemi shëndetësor.
Sipas deputetes së PS, Klodiana Spahiu, 8 vjetësh me këtë qeveri, ‘shqiptarët kanë sot një shërbim shëndetësor të korruptuar e të dështuar që nuk arrin të realizojë sipas standardeve të kërkuara asnjë nga funksionet e tij: parandalimin, diagnostikimin, kurimin dhe rehabilitimin’.
Ajo ka renditur një sërë premtimesh të pambajtura sipas PS nga qeveria aktuale sa i përket shëndetësisë çka ka sjellë rrënimin e plotë të saj.
“Çfarë u premtoi Berisha shqiptarëve 8 vjet më parë dhe sërish në 2009?
Premtoi se do të rriste buxhetin për shëndetësinë me 60% por nuk e bëri. Sot gjendja mjerane e spitaleve ofendon ditë për ditë çdo qytetar, të cilit nuk i mjafton halli dhe sëmundja por i duhet të rropatet pavijoneve dhe reparteve me infrastrukturë te shkatërruar.
Premtoi që do të hiqte TVSH në shëndetësi dhe jo vetëm që nuk e hoqi por e ka rritur çmimin për shërbimet shëndetësore për pjesën dërrmuese të shqiptarëve. Sot shërbimi parësor është i pamundur për t’u aksesuar nga të varfrit. Sot nëse je i papunë, nëse nuk je i siguruar, një vizitë e thjeshtë tek mjeku të kushton 15 mijë lekë të vjetra, duke qenë kështu i dënuar me përjashtim nga sistemi shëndetësor.
Sistemi i financimit të shëndetësisë i ngritur nga Sali Berisha stimulon korrupsionin, burokracinë dhe diskriminimin në masë. Për më tepër, shikoni greminën financiare ku e kanë fundosur sistemin tonë të shëndetësisë, ku rreth 60 për qind e shpenzimeve përballohen nga xhepat e shqiptarëve, ndërsa me skemën e deri tanishme kontributive mbulohen vetëm 7 për qind e këtyre shpenzimeve. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, qytetarët shqiptarë që janë të papunë dhe të pa siguruar, duhet të paguajnë në spitale me para në dorë”, deklaroi Spahiu.
Më tej ajo ka deklaruar se PS do të ofrojë një shërbim shëndetësor universal duke ndërmarrë një reformë radikale falë së cilës asnjë qytetar të mos mbetet i përjashtuar nga sistemi shëndetësor.
“Kjo është sfida jonë: rikthimi i besimit të qytetarëve tek shërbimi shëndetësor, një sistem shëndetësor që u rikthen atyre dinjitetin e nëpërkëmbur dhe u krijon profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi çdo qytetari pa asnjë diskriminim e pa parë nga duart e tyre”, përfundoi deklaratën e saj deputetja e PS.
1 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)