Deputeti socialist Arben Ahmetaj ka vijuar me denoncimin e asaj që e ka cilësuar piramidë të korrupsionit të ngritur nga qeveria në sistemin elektro-energjetik.
“Kryeministri flet për buxhetin më të madh në histori, ne duam tu tregojmë shqiptarëve skandalin më të madh të historisë së Shqipërisë, zerimin e pasurisë së tyre. Do u tregojmë se çfarë ndodh me faturat, me mbifaturimet që CEZ u bën konsumatorëve shqiptarë”, ka nisur deklaratën për shtyp deputeti socialist.
Duke e demonstruar me anë të një grafiku, Ahmetaj ka sqaruar se mbifaturimi që u bëhet shqiptarëve është rreth 15 për qind, që e përkthyer në shifra janë 60 milionë dollarë, që u merren shqiptarëve nga mbifaturimet.
Ai ka akuzuar qeverinë që sipas tij e ka çuar në kolaps sistemin energjetik në Shqipëri. “Qeveria nuk ka bërë asgjë, madje ERE nuk ka monitoruar as vendimin e vet për heqjen e faturimit afrofe, i cili është një mbifaturim tjetër që i bëhet konsumatorit shqiptar. Qeveria është fajtore që sot sistemi energjetik është në kolaps dhe është një piramidë e re prej 1.2 miliard dollarë në kurriz të shqiptarëve. Sot shqiptarët paguajnë më shumë se në vitin 2005” shtoi Ahmetaj.
6 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)