Partia Socialiste i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që së bashku të gjejnë një zgjidhje për rivendosjen e besimit në Komisionin Qendror Zgjedhor me qëllim ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në një konferencë për shtyp nga selia rozë deputetja socialiste Vasilika Hysi, duke e cilësuar të jashtëligjshme shkarkimin e anëtarit të LSI-së nga KQZ, theksoi se PS është e gatshme të punojë për të gjetur një zgjidhje në të mirë të vendit.
“Çdo ditë e më tepër, po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët se tentativa e Sali Berishës për të rrënuar KQZ është kthyer në një burim alarmi për të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Njëri pas tjetrit, ambasadorë, zyrtarë të lartë, komisionerë e miq të tjerë të shqiptarëve në BE dhe SHBA kanë deklaruar se rrëmbimi i anëtarit të KQZ nga mazhoranca e Sali Berishës është i pambështetur në ligj dhe ka kompromentuar rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Në të njëjtën linjë ishin dje edhe Komisioneri Fule, Ambasadori Arvizu, Drejtori i Zyrës për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore të cilët theksuan rëndësinë jetike të mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të ndershme në 23 qershor, por edhe koston e papranueshme që do të kishte për vendin cënimi i standardeve më të larta ndërkombëtare dhe europiane në këto zgjedhje.
Partia Socialiste e ka theksuar në vijimësi domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ, si institucioni kryesor për administrimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nisur nga kjo bindje, por edhe në përgjigje të shqetësimit të partnerëve tanë në BE dhe SHBA, ne si PS jemi të gatshëm për të punuar për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Për të gjitha arsyet e mësipërme, e ftojmë kryeministrin në ikje që në këto momente të dëgjojë zërin e arsyes dhe shqetësimin që nuk vjen vetëm nga Partia Socialiste dhe opozita, por nga të gjithë partnerët strategjikë të Shqipërisë në këto momente delikate për vendin tonë”, deklaroi Hysi.
24 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)