Partia Socialiste ka organizuar një tryezë me përfaqësues të biznesit të madh. Kreu socialist Rama, duke folur për programin e PS “Për një rilindje shqiptare”, u shpreh se duhet më tepër komunikim qeveri-sipërmarrje dhe se faji nuk është i krizës ekonomike globale, por i qeverisë. Ai u fokusua sërish tek taksa progresive, që sipas tij jo vetëm që nuk e kërcënon biznesin e madh, por e ndihmon atë, pasi duke lehtësuar taksat e shtresës së mesme ju jep atyre mundësinë të konsumojnë më shumë.
“Vlera e progresivitetit nuk ju kërcënon, ju mund të shërbeheni më mirë. Qeveria nuk ka bilanc, nxit frikën dhe pasigurinë referuar opozitës. Taksa progresive që ne kemi në planin tonë, në mesatare do ta ketë ngarkesën 8% j0 10%, do lehtësojë 90% të njerëzve të punësuar në këtë vend. Lehtësimi i shtresës së mesme është një vlerë që kthehet tek ju, tek biznesi duke rritur konsumin. Këtë vit Shqipëria pati nivelin më të ulët të konsumit, që kur është vendosur taksa e sheshtë”, tha kryesocialisti Rama
Ai ka theksuar se disa nga sektorët e ekonomisë si ndërtimi apo fasonët ndodhen në gjendje të vështirë, ndërsa premtoi se pas 9 muajsh ku PS-ja të vijë në pushtet do të hapet një faqe e re për biznesin.
“Asnjë sipërmarrës nuk duhet të ndihet i kërcënuar për shkak të përkatësisë politike, me asnjë sipërmarrës nuk do të sillemi si dele e zezë, dhe asnjë sipërmarrës nuk do të privilegjohet” tha Rama. Ai gjithashtu ka kërkuar nga qeveria heqjen e TVSH-së për biznesin e vogël pasi sipas tij ky biznes po lëngon nën peshën e një krizë asfiksuese për të jo për asnjë faj të krizës globale, por për përgjegjësi të plotë të qeverisë. Ai ka premtuar se do rishikohen të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes, duke përmendur këtu edhe marrëveshjen për Lotarinë Kombëtare. “Do rishikojmë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes. Nuk mund ta pranojmë Lotarinë Kombëtare, ku shqiptarët humbin çdo ditë e fitojnë po atë, këtë s’mund ta pranojmë, do ja kthejmë publikut”, tha Rama.
12 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)