Partia Socialiste organizoi tryezën e radhës me ekspertë për çështjet e arsimit, që sipas opozitës ka degraduar në një masivizëm galopant pa pikë standardi. Sipas kryesocialistit Rama ritheksoi domosdoshmërinë e një verifikimi transparent dhe të pakompromentueshëm të cilësisë, kushteve dhe burimeve njerëzore në të gjitha universitetet publike dhe private.
“Së pari theksoj se është koha për t’i bërë një verifikim të vërtetë transparent dhe të pakompromentueshëm të cilësisë, kushteve dhe burimeve njerëzore të gjitha universiteteve publike dhe private. Duhet bërë menjëherë akreditimi, pa dallim publik apo privat. Verifikimi, akreditimi dhe rankimi kërkojnë transparencë me publikun dhe çdo prind që investon për fëmijët. Besoj se konkurrenca duhet të jetë mes tyre, për eksesin në fondet publike mbi bazën e projekteve.”- theksoi Rama.
Kreu i opozitës kritikoi qeverinë edhe për atë që e quajti gjendje të mjerueshme të universitetit të sporteve, ku për 8 vite, sipas tij, qeveria nuk ka kryer asnjë investim. Tryeza e PS-së zhvillohet në kuadër të programit të opozitës “Për një Rilindje Kombëtare” ku synohet përthithja e ideve dhe mendimeve të specialistëve në fusha të ndryshme për t’i materializuar ato në rast fitoreje në zgjedhjet e 2013-ës. 22 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)