Deputeti Taulant Balla, ka vijuar denoncimin e radhës për atë që PS-ja  i cilësuar pasuria e bllokmenëve të rinj të PD, me pasurinë e vajzës së kryeministrit Berisha, Argita Berisha.


“Sot po vazhdojmë të denoncojmë bllokmenët e rinj, siç preferon ta quajë Sali Berisha familjen e tij biologjike dhe politike. Sot do flasim për vajzën e kryeministrit dhe deklarimin e saj të pasurisë për vitin 2011. Pasuria e vajzës së kryeministrit është shtuar me 210 milionë e 784 mijë lekë”, tha Balla. Deputeti socialist ka theksuar më tej se në një vit krize si ai që lamë pas, vajza e kryeministrit paguhet aq sa zv/presidenti amerikan.


“Në vitin e krizës së thellë ekonomike, të varfërisë, të papunësisë por edhe të korrupsionit masiv, vajza e kryeministrit e ka shtuar pasurinë e saj. Në Shqipëri nuk mund të gjejmë një pagesë të tillë, Në nivel ndërkombëtar mund të gjejmë një person. Vajza e kryeministrit paguhet sa zv/Presidenti amerikan Biden në një vit”,- akuzoi Balla.


Balla shtoi më tej se në deklaratën e saj të depozituar pranë ILDKP, Argita Berisha ka sqaruar se ajo fiton 12 milionë nga mësimdhënia universitare. “Sa janë mësuesit që paguhen si ajo? Ajo paguhet sa 20 drejtorë shkollash në muaj”,- theksoi Balla.


15 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)