Mësuesit


Procedura për marrjen në punë nga drejtori i shkollës nuk gjen zbatim, tregu mbingopje të arsimtarëve


Lorina Mixha


mesuesNga ky vit, punësimi i mësuesve në vend do të ishte transparent. Kriteret e përzgjedhjes do të ndryshonin dhe kompetencën e rekrutimit do ta kishte qeverisja vendore, bordi i shkollës dhe drejtoria arsimore. Për shkak sepse nuk ishin bërë gati modalitetet dhe baza e nevojshme e infrastrukturës metodologjike  dhe për shkak të problemeve të tjera, kjo pjesë e ligjit u shty për t’u zbatuar në shtator të 2013-s.


Ndryshe nga procedurat e mëparshme, institucionet përgjegjëse dhe ekspertët e përfshirë në proces, ligji i ri i arsimit parauniversitar që hyri në fuqi këtë vit shkollor, do të mbyllte të gjitha vakumet dhe do të thjeshtëzonte më tej procedurën e punësimeve. Sipas ligjit, rekrutimi i mësuesve do të bëhej në komunitet, nga qeverisja vendore. Kryesisht, punën më të madhe do ta kishte drejtoria e shkollës, stafi në bashkëpunim me drejtoritë arsimore, duke u hequr një pjesë të mirë të kompetencave drejtorive arsimore në vend. Por pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit, edhe këtë vit, punësimet e mësuesve u bënë nga drejtoritë arsimore dhe rekrutimi i mësuesve nga qeverisja vendore, bordi i shkollës në bashkëpunim me drejtorinë arsimore u dështoi.


Kontratat për punësimin e tyre, rekrutimin e arsimtarëve bashkë me përzgjedhjen, të gjitha u firmosën e u vendosën nga drejtuesit e drejtorisë arsimore. Drejtorët e shkollave këtë vit, thuajse nuk arritën të bënin as punësimet part-time, kompetencë e dhënë nga ligji, duke pasur parasysh nevojat e institucionit.


Mësuesit me kohë të pjesshme, mësuesit me kohë të plotë, por edhe zëvendësuesit edhe për këtë vit u përzgjodhën nga drejtoritë arsimore. Nga viti 2005 në vitin 2013 në shkollat e vendit, largimet, shkarkimet, emërimet e mësuesve dhe drejtuesve në shkolla kanë qenë të përvitshme dhe të vazhdueshme, ndërkohë që


shkollat në kryeqytet nuk kanë pasur për dy apo katër vite me radhë një drejtues. Stafet kanë qenë të lëvizshme dhe punësimet në kryeqytet, sipas mësuesve, janë bërë edhe duke marrë për bazë rekomandimet nga baza e partive politike, pagesave nën dorë, por edhe duke u bazuar në kontributin e gjithsecilit në fushata elektorale e angazhime politike, tërësisht jo transparente.


Mësuesit në të gjithë vendin janë më shumë sesa ç’kërkon tregu, ndërkohë që një brez i tërë vijon të ndjekë studimet për mësuesi edhe pse ka “mbingopje” në institucionet arsimore.


Në vitin 2010, një urdhër i Ministrisë së Arsimit kërkonte pastrimin e shkollave nga mësues të pakualifikuar, të cilët jepnin mësim një lëndë për të cilat nuk kishin mbaruar studimet.


Mësuesit që kishin dhënë teknologji apo lëndë të tjera “demode” para viteve ’90 dhe që jepnin informatikë, apo arsimtarë të tjerë që kishin përfunduar rusisht dhe jepnin letërsi duhet të zëvendësoheshin me mësues përkatës, që kishin mbaruar në këtë degë.


Më pas procedura e punësimit do të ishte e tillë që të fitonin ata kandidatë me pikët më të forta, me kualifikim, me përgatitje.


Urdhri i ministrit të Arsimit dy vjet më parë për “pastrimin” e shkollave nga mësues të pakualifikuar, u pasua nga një ligj, i cili parashikon dhe legjitimon procesin e rekrutimit të mësuesve në çdo institucion arsimor, parauniversitar.


Por në shtator të vitit 2012, qytetarët e thjeshtë, ata që kanë një familjar që ka mbetur pa punë, që donte të punësohej apo kërkon të fitojë një vend të ri pune si mësues, duhet të paguajnë për ta blerë vendin e punës dhe jo ta fitojnë atë nëpërmjet legjislacionit apo kritereve ligjore.


“Ministria e Arsimit është një institucion politikëbërës, por jo në pak raste dëgjojmë shqetësime, denoncime të qytetarëve, mësuesve, ekspertëve. Duke nisur nga ky vit shkollor, rekrutimi i mësuesve bëhet në bazë të një ligji në fuqi, ligji për arsimin parauniversitar, duke u bazuar në ligjin e profesioneve të rregulluara, por duke plotësuar edhe kriteret që vendosen nga drejtoritë arsimore të secilit rreth. Janë këto tri shtyllat ku bazohet rekrutimi i mësuesve. Ligji e ka rregulluar pjesën e punësimit dhe kërkesat e nevojshme”, sqaroi pak kohë më parë ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.


Sipas saj, 2012-a ishte viti i fundit që rekrutimi dhe punësimet bëhen nga drejtoritë arsimore. Këtë vit, mësuesit do të merren në punë nga bordi i shkollave dhe qeverisja vendore.


 


Ligji


Bordi që merr në punë dhe procedura


Rekrutimi bëhet mbi bazën e një stafi të përzgjedhur, që sipas ligjit, përbëhet nga drejtori i shkollës, një përfaqësues i bordit të prindërve, një përfaqësues i bordit të senatit të nxënësve dhe një përfaqësues nga minibashkia.


Të gjitha këta marrin CV dhe asistojnë në intervistë.


Mbi bazën e konkurrimit të kandidaturave bëhet përzgjedhja e mësuesve.


 


Drejtori jep shpërblime, punëson part-time


Drejtori i institucionit arsimor përdor një fond të veçantë vjetor nga buxheti i njësisë arsimore vendore për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, pas këshillimit me partnerët socialë dhe bordin e institucionit; “Ka të drejtë që, me fonde të siguruara nga institucioni, të punësojë, me kohë të plotë ose të pjesshme, mësues ndihmës, sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave”, thuhet në ligj.