Gjykata e Apelit pushon gjyqin. Në shkallë të parë u dënua me dy vite burg. Dosja e plotë
Konkurrimi – Mziu arriti të fitojë mandatin e tij të tretë si kryebashkiak me 53 për qind të votave, pas një beteje të ashpër me konkurrentin e majtë, biznesmenin Safet Gjici
Gjykata e Apelit e Tiranës ka pushuar gjykimin ndaj kreut të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i cili ishte shpallur i pafajshëm nga shkalla e parë, e cila e kishte dënuar me dy vite burg. Në dalje të gjykatës, kryetari i Bashkisë së Kamzës e cilësoi vendimin të drejtë, duke cilësuar procesin penal ndaj tij të stisur dhe politikë. Ai tha se gjatë periudhës hetimore dhe gjyqësore, ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të politikës, por në fund fitoi e vërteta.
“Akuza ka qenë totalisht politike, e cila zgjati për rreth tre vjet. E stisur dhe e mbajtur pa asnjë kauzë deri në fund për të më akuzuar padrejtësisht, për një tender që nuk ishte zhvilluar, për një tender që bashkia nuk kishte shpenzuar asnjë qindarkë”, tha Mziu.
Xhelal Mziu u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me 2 vite burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Akuzë për të cilën u dënuan edhe dy vartësit e tij, Atli Hoti dhe Bujar Loshi me nga 6 muaj heqje lirie.
Gjyqtari Besnik Hoxha e gjeti fajtor kryebashkiakun aktual të Kamzës dhe vendosi ta dënonte me dy vite burg. Shkalla e parë vendosi që Mziut t’i hiqet e drejta për dy vite e ushtrimit të funksioneve publike. Sipas togave të zeza, tre të pandehurit kanë kryer vepër penale me dashje, duke bllokuar padrejtësisht llogaritë bankare të shoqërisë “Albavia”. Mziu akuzohet edhe se ka vepruar në mënyrë arbitrare për disa vite, duke vendosur gjoba të pamerituara në ngarkim të subjekteve “Gjoka Konstruksion” (50 milionë lekë të vjetra) dhe “Albavia” (120 milionë lekë të vjetra). Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës kishte kërkuar dënimin me katër vite burg për Mziun, pasi u akuzua për “Shkelje të barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorim detyre”. Në bashkim të dënimeve, prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin me tri vite burg dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për kryebashkiakun e Kamzës.
Në dosje thuhej se Mziu nuk kishte zbatuar vendimet gjyqësore lidhur me vendosjen e taksave të padrejta. Sipas akuzës, drejtori i Tatimeve, Bujar Loshi, ka shkelur ligjin për vendosje të padrejtë të taksave ndaj kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe “Albavia”. Ndërsa juristi Atlis Hoti ka abuzuar me detyrën, duke mos dhënë dokumentet për kompaninë “Gjoka Konstruksion”, e cila kishte fituar tenderin për rikonstruksionin e rrugës “Zgjimi” në Kamzë.
Sipas prokurorisë, Mziu pati kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas”. Hetimi nisi në shtator 2013, pasi një kompani ndërtimi pati bërë kallëzim me argumentin se pasi qe shpallur fituese e tenderit, Bashkia Kamzë qëllimisht nuk kishte pranuar të nënshkruante kontratën me të për të djegur afatet ligjore. Pas kalimit të afatit ligjor 30-ditor nga zhvillimi i tenderit, bashkia Kamës pati nënshkruar kontratën e zhvillimit të punimeve me një kompani tjetër, e cila në tender rezultonte humbëse. “Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të Bashkisë Kamzë, përfaqësuesi i shoqërisë “Gj…Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se. në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “E….”sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese,” thuhet në njoftimin e prokurorisë për ngritjen e akuzave.
“Në këto kushte, shoqëria “Gj…Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal, nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe zyrtari tjetër, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës””, deklaroi në dhjetor 2013, prokuroria. Pas një shqyrtimi të shpejtë, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, shpalli Mziun fajtor në prill 2015, ndërkohë që kryebashkiaku sapo kishte shpallur kandidimin për një mandat të ri në zgjedhjet e qershorit 2015, ku dhe fitoi.