Vendimet
Leja e importit është një vjeçare. Ulen taksat për ricikluesit
Ylli Pata
Hapet rruga e zbatimit në praktikë të importit të mbetjeve urbane në Shqipëri, pas miratimit të ligjit përkatës, pak më shumë se një vit më parë. Këshilli i Ministrave ka marrë dje tre vendime që kanë të bëjnë me importin dhe trajtimin e mbetjeve urbane. Vendimi i parë dhe më kryesori është dhënia e autorizimit të kompanisë “EVEREST IE” sh.p.k për importin e mbetjeve të polietilenit, pra, mbetjeve plastike (shishe dhe qese), autorizimin e kompanisë “RAMETAL” sh.p.k për importin e mbetjeve metalike prej alumini(kanoçe dhe mbetje të tjera) dhe ndryshimin e taksave të kompanive që përpunojnë mbetjet. Qeveria ka marrë një vendim, në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar një opinion nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me mbajtjen e referendumit popullor për importimin e plehrave. Këtë referendum e kanë kërkuar mbi 50 mijë qytetarë, me nismën e shoqërisë civile, konkretisht grupimit “Aleanca kundër importit të plehrave”.
Plastika
Këshilli i Ministrave, ka marrë vendim në mbledhjen e djeshme, që autorizon “EVEREST IE”, sh.p.k për të importuar mbetjet e polietilenit me kodin doganor GH 011ex 391510 dhe kodin e Konventës së Bazelit B3-B3010. Sasia e mbetjeve të polietilenit, që importohet, është përcaktuar gjithsej 4,500 tonë. Kjo kompani do të ketë të drejtën për të importuar mbetjet plastike vetëm për një vit dhe malli importohet nga vendet e BE-së. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve. Në vendim theksohet se Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore, të marrë masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve të polietilenit nga “EVEREST IE”, sh.p.k.-ja, pas miratimit të këtij vendimi, për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut.
Alumini
Në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi autorizimin e kompanisë “RAMETAL”, sh.p.k për importin e mbetjeve metalike të aluminit, për qëllime riciklimi, me kodin doganor: GA 760200, mbetje të aluminit, GA, 76020011, mbetje të aluminit, GA, 76020019, mbetje të aluminit dhe GA, 76020090, kthime të aluminit. Sasia e mbetjeve metalike të aluminit, që importohet sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 25000 tonë. Mbetjet e aluminit importohen nga vendet e Bashkimit Europian, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, duke plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Kohëzgjatja e lejimit të importit të mbetjeve metalike të aluminit nga “RAMETAL”, sh.p.k.-ja. të jetë për një periudhë kohore një vjeçare.
Taksat
Në vendimin e djeshëm të qeverisë,prodhuesit e ambalazheve plastike njëpërdorimshme do të paguajnë 100 lekë taksë për 1 kilogram, ndërsa për industrinë vendase të riciklimit, taksa për ambalazhet, të prodhuara nga riciklimi i mbetjeve plastike të gjeneruara në vend, caktohet në masën 50 lekë/kg. Pra, konkretisht ka një ulje të taksës për ato kompani që do të përpunojnë mbetjet nga kazanët e mbeturinave apo nga grumbullimet e mbetjeve në qytetet e Shqipërisë. Para disa ditësh në Tiranë ka nisur një aksion i Policisë Bashkiake të Tiranës, kundër mbledhësve të vegjël të mbetjeve nga kazanët e mbeturinave. Këta mbledhës janë kryesisht të komunitetit rom, të cilët janë sulmuar ashpër nga policët bashkiakë, duke iu sekuestruar karrocat dhe malli që ata mbledhin në kazanët e plehrave.
Zhvillimet
Sasia – Sipas vendimit, për periudhën një vjeçare do të importohen 4500 tonë mbeturina plastike dhe 25000 tonë mbetje alumini
Vendet – Mbetjet plastike do të importohen nga vendet e BE-së, kurse alumini edhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, por edhe nga Serbia
Kushtet – Qeveria ka vendosur kushte që Ministria e Mjedisit, por edhe agjenci të tjera do të kontrollojnë mbetjet që do të importohen
Reagon Aleanca Kundër Importit të Plehrave, thekson se do të ketë protesta
Ferruni: Të shtyhet importi i mbeturinave deri në referendumin
Aleanca Kundër Importit të Plehrave kërkon nga qeveria moratorium të sjelljes së mbeturinave nga jashtë, derisa të zhvillohet referendumi popullor, përndryshe do të ketë protesta dhe reagime ligjore. Ambientalisti Lavdosh Ferruni, një nga drejtuesit e AKIP-it, ka deklaruar dje për “Shqip” se importi do të sjellë rreziqe për mjedisin, duke shtuar problemet e mëdha të krijuara këto 20 vjet…
Z, Ferruni, cili është pozicioni i AKIP-it pas vendimit të qeverisë?
Deri sa të behet referendumi, qeveria të vendosë për moratorium të importit të mbetjeve. Ligji nuk mund të anulohet, por deri sa të kryhet referendumi, i kemi bërë thirrje politikës që të anulojë, pra, të shtyjë importin e plehrave. Kjo është e domosdoshme për faktin se populli tashmë ka iniciativën e tij për t’u shprehur në referendum dhe, meqenëse për arsye jo bindëse ligjore dhe morale është shtyrë afati kur do të mbahet referendumi, i vetmi instrument që rregullon situatën dhe që nuk bie ndesh me vullnetin e 60 mijë qytetarëve, është vendosja urgjente e moratoriumit. Nëse nuk ndodh moratoriumi, ka të ngjarë që të hyjë në Shqipëri një volum shumë i madh mbetjesh, për faktin se janë të depozituara deri tani të paktën 5 kërkesa për import mbetjesh plastike dhe skrapi nga vende të ndryshme të Europës dhe botës, gjë që do të komprometonte shumë rëndë situatën mjedisore në vend, e cila aktualisht është shumë problematike dhe me shkallë shumë të lartë vështirësish zgjidhjeje, si rrjedhojë e mungesës së financimeve, por edhe e krizës ekonomike. Ka vështirësi për të akomomoduar dhe zbutur situatën e rëndë, të krijuar në 20 vite. Nga ana tjetër, infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri është krejt e papërshtatshme dhe jashtë çdo standardi të Bashkimit Europian.
Pse cilat mund të jenë efektet shtesë?
Derdhjet e ujërave dhe llumrave të përpunimit të mbetjeve të importit janë një ndotje e vazhdueshme dhe e pariparueshme në territorin shqiptar. Ndërkaq, dua të kundërshtoj vendimin e fundit të Bashkisë së Tiranës, e cila në mënyrë arbitrare, amorale dhe antiligjore po pengon nismat individuale kryesisht të komunitetit rom për grumbullimin e mbetjeve në burim. Policia bashkiake në mënyrë banditeske i është vërsulur ekologjistëve të vërtetë, atyre qytetarëve që bëjnë punën, të cilën duhet ta bënte Bashkia, pra, bëjnë seleksionimin e mbetjeve në burim. Bashkia, me sa duket po i çon mbetjet për t’i shitur për llogari të klientëve të preferuar të tyre. Duke lënë edhe komunitetin pa asnjë burim jetese.
Cilat do të jenë rrugët e reagimit tuaj?
Rrugët tona janë sensibilizimi i qytetarëve që të mbrojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, monitorimi në mënyrë që të ndalohet ky fluks importi dhe, nëse nuk ka udhë në Parlament, AKIP-i do të përdorë dhe instrumente të tjera, padyshim përfshirë dhe protestat pranë institucioneve përgjegjëse.