Ministria e Financave: Paratë e ushqimit në kopshte e çerdhe të përdoren për pagimin e dritave
Edmond Hoxhaj
Më shumë se 950 fëmijëve që frekuentojnë shtatë kopshtet publike me ushqim në qytetin e Fierit, për këtë vit do t’u mohohet ky shërbim. Kopshtet në fjalë nuk do të kenë mundësinë të përgatisin ushqimin dhe kjo për shkak të një vendimi të Ministrisë së Financave. Drejtoresha Ekonomike për arsimin në Bashkinë Fier, Mimoza Moçi, tha dje se kjo gjë po ndodh për shkak të bllokimit të grantit qeveritar. Sipas Moçit, mungesa e fondeve do të sjellë këtë anomali të cilën e konsideron si anormale dhe shton faktin se një gjë e tillë po zbatohet për herë të parë ndaj Bashkisë Fier.
Në një deklaratë për shtyp të dhënë në mesditën e djeshme, Moçi deklaroi se gjendja e krijuar është e vështirë dhe sqaroi se gjithçka lidhet me kalimin e një fondi prej 87 milionë lekësh të reja në favor të kompanisë CEZ, shumë e cila i është marrë Bashkisë Fier, si aksionere në shoqërinë Ujësjellës sh.a. Kjo e fundit i detyrohet kompanisë CEZ miliona lekë. Drejtoresha e ka konsideruar të padrejtë vendimin e ministrit të Financave, që ka penalizuar vogëlushët fierakë, për të shlyer një borxh që Ujësjellësi i detyrohet CEZ-it.
“Nisur nga ky fakt, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit pranë Ministrisë së Financave ka autorizuar Degët e Thesarit në rrethe, që të na bllokojë çdo fond që akordohej për kopshtet publike. Në këtë mënyrë që nga dita e hënë nuk do të ketë më shërbim mense në kopshte. Fëmijët do të rrinë aty me të njëjtin orar, pra nga ora 08.00-16.00, por ushqimin do të jenë të detyruar ta sjellin nga shtëpia. Ndërsa për dy çerdhet që ndodhen në qytetin tonë, duke qenë se kemi të bëjmë me fëmijë shumë të vegjël, aktiviteti i tyre do vazhdojë si më parë dhe do të jetë bashkia ajo që do t’i mbulojë këto shpenzime nga të ardhurat e saj”, ka theksuar Moçi në deklaratën për shtyp. Lidhur me këtë vendim të Ministrisë së Financave, ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, i cili e ka cilësuar si absurd veprimin në fjalë. Ai pohoi se nuk ishte e drejtë që fëmijët fierakë të paguajnë për një vendim bllokues të qeverisë shqiptare e më konkretisht të Ministrisë së Financave. “Nëpërmjet një shkrese të muajit qershor, nisur Bashkisë Fier, Ministria e Financave nuk na jep të drejtë si institucion vendor të prekim grantin që nga data 1 korrik. Pra, te ne mbërriti shkresa zyrtare për bllokimin e pjesës së planifikuar të transfertës së pakushtëzuar, për tremujorin III dhe IV për njësitë e qeverisjes vendore aksionere të ndërmarrjeve të ujësjellësve. Transferta do të zhbllokohet vetëm me likuidimin total të këtij detyrimi. Kjo është shumë e padrejtë, pasi fëmijët fierakë nuk kanë asnjë arsye të paguajnë kostot e ujësjellësit apo papërgjegjshmërinë e Ministrisë së Financave”, deklaroi kryebashkiaku Zeqaj.
Ndërkohë, shuma prej 87 milionë lekësh të reja, debi e ujësjellësit te CEZ, ka sjellë bllokimin e punimeve për mirëmbajtjen e godinave shkollore, restaurimin e kopshteve, çerdheve, si dhe mospagimin e administratës për dy muaj, pohoi Zeqaj. Kryebashkiaku tha se do t’i kërkojë qeverisë shqiptare ndërhyrje për zhbllokim të situatës, ndërsa pret që këshilli bashkiak të vendosë për fatin e 950 fëmijëve që frekuentojnë kopshtet publike, të cilët do të jenë të detyruar të marrin bukë me vete nga shtëpia. Ndaj kësaj mase, kanë reaguar edhe edukatoret e kopshteve, të cilat e kanë konsideruar si drastike dhe të pakuptimtë. “Nuk do të lejojmë ushqimin e gatuar që fëmijët ta sjellin për ta konsumuar në kopshte, pasi në këtë mënyrë çdo fëmijë është i ekspozuar nga rreziku ndaj helmimeve. Duhet gjetur medoemos një zgjidhje”, janë shprehur disa prej tyre. Ndërkohë, edhe prindër të vogëlushëve që frekuentojnë kopshtet publike kanë shprehur shqetësime lidhur më këtë bllokim të fondeve. Ata kanë pohuar se fëmijët e moshave që frekuentojnë kopshtet nuk mund të ushqehen me ushqime të thata, apo të konsumojnë ato të përgatitura në shtëpi disa orë më parë, pasi rrezikojnë toksikimin.