Miratohet projektligji për mënyrën sesi përfitohen gradat dhe karriera


FATJONA MEJDINI


Kodheli & RamaQeveria miraton një projektligj të ri që përcakton karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në kuadër të nevojës së menaxhimit të karrierës në këtë sektor delikat. Drafti i paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes “Për Karrierën Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, përcakton rregulla të qartë për shërbimin ushtarak aktiv, përfituesit e gradave ushtarake, moshën brenda të cilës mund të mbahet grada dhe rregullat e daljes në lirim.


Shërbimi ushtarak aktiv  


Ushtarakët ose detarët me pranimin e tyre aktiv në shërbimin ushtarak, nënshkruajnë një kontratë me afat jo më pak se tre vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura nënshkruajnë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose personi i autorizuar prej tij, komandanti i forcës, komandanti i strukturës mbështetëse apo komandantët e strukturave të tjera kryesore, në përputhje me strukturën e Forcave të Armatosura. E njëjta procedurë ndiqet dhe për nënoficerët. Për sa u përket studentëve ushtarakë dhe oficerëve, kontrata lidhet me fillimin e studimeve brenda dhe jashtë vendit. Në kontratë përfshihen koha e arsimimit dhe 6 vjet periudhë shërbimi si oficer në Forcat e Armatosura. Në rast shkeljeje të kontratës, shtetasit dhe ushtarakët detyrohen të dëmshpërblejnë shpenzimet për kohën e studimit apo kualifikimit brenda ose jashtë vendit.


Përfituesit e gradave


Sipas projektligjit në FA, gradat u jepen oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve, studentëve ushtarakë dhe ushtarakëve në rezervë. Për oficerët aktivë, gradat ushtarake janë tre, madhore, e larta dhe e ulëta. Për nënoficerët aktivë ka gradë të lartë dhe të ulët. Në projektligj parashikohet në mënyrë të qartë dhe koha e qëndrimit në një gradë në shërbimin aktiv llogaritet nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit përkatës për dhënien e gradës. Sipas draftit, koha e shërbimit në rezervë nuk llogaritet si kohë qëndrimi në gradë për gradim në shërbimin aktiv.


Mosha e ushtarakëve


Në draftin e Ministrisë së Mbrojtjes jepet në mënyrë të qartë dhe mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv. Sipas draftit, oficeri me gradë madhore, pavarësisht nga mosplotësimi i moshës, nxirret në rezervë apo lirim, kur kalon kohën e qëndrimit dhe nuk ka marrë gradën e radhës dhe kur nuk ka kuota të lira për konkurrim për gradën e radhës, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve. Mosha minimale e pranimit në Forcat e Armatosura mbetet 18 vjeç. Sipas draftit, shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.


Dalja në lirim


Sipas projektligjit të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtaraku del në lirim nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar disa kushte siç është plotësimi i moshës për pension pleqërie dhe dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë. Po kështu, lirimi bëhet kur ai shpallet i paaftë nga ana shëndetësore për shërbim ushtarak me vendim të komisionit përkatës mjekësor. Një tjetër rast është ai kur vetë ushtaraku paraqet kërkesën për lirim dhe ajo miratohet. Ushtaraku del në lirim gjithashtu kur ka kryer shkelje shumë të rënda disiplinore dhe kur është mbi moshën e shërbimit ushtarak në rezervë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë.


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në lirim me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Oficerët me gradë madhore dalin në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.


 


Rregullimi i gradave të ushtarëve


Me hyrjen në fuqi të këtij ligji:


a) ushtarëve profesionistë I , që kanë më pak se 9 muaj në këtë gradë, u jepet grada ushtar I/detar I;


b) ushtarëve profesionistë I, që kanë më shumë se 9 muaj dhe më pak se 1 vit në këtë gradë, u jepet grada ushtar II/detar II;


c) ushtarëve profesionistë II, që kanë nga 1 deri në 2 vite shërbim në këtë gradë, u jepet grada ushtar III/detar III;


ç) ushtarëve profesionistë II, që kanë më shumë se 2 vite në këtë gradë, u jepet grada ushtar IV/detar IV.


 


Si merren gradat:


Oficer- jepet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura.


–    Gradat e ulëta dhe të larta të oficerëve jepen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e komisioneve të karrierës.


–    Gradat madhore u jepen oficerëve me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, përveç gradës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm


 


Nëntoger u jepet shtetasve që janë titulluar “oficerë aktivë”.


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm – jepet grada me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.


Komandanti i FA në kohë lufte -jepet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.


 


Koha minimale e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës së radhës është:


Forca Tokësore/Ajrore      Forca Detare                    Koha në gradë


a) Ushtar I                            Detar I                               1 vit;


b) Ushtar II                           Detar II                               1 vit;


c) Ushtar III                          Detar III                              1 vit;


ç) Ushtar IV                          Detar IV                             3 vjet;


d) Nëntetar                           Nëntetar                             3 vjet;


dh) Tetar                               Tetar                                  4 vjet;


e) Rreshter                           Rreshter                             6 vjet;


ë)  Kapter                             Kapter                               5 vjet;


f)  Nëntoger                          Nënllejtënant                         3 vjet;


g) Toger                               Llejtënant                              4 vjet;


gj) Kapiten                          Kapiten llejtënant                    5 vjet;


h) Major                              Kapiten i rangut III                6 vjet;


i) Nënkolonel                      Kapiten i rangut II                 5 vjet;


j) Kolonel                           Kapiten i rangut I                  5 vjet;


k) Gjeneral brigade               Kundëradmiral                     3 vjet;


l) Gjeneral major                  Nënadmiral                         3 vjet.