Sot Kryeministri Berisha firmosi vendimin e Qeverisë të mbledhjes së datës 16 gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës.


Përmes një konference për shtyp, zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli theksoi se, me këtë rritje realizohet pikë për pikë premtimi i Qeverisë për pagat dhe pensionet. Mëhilli ka bërë një panoramë të pagave të sektorit publik nga viti 2005, duke theksuar se që nga ajo periudhë deri sot pagat janë dyfishuar.


“Rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi, është rezultat direkt i performancës ekonomike të vendit dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet.


Theksoj, se si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve.


Me këtë rritje Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Europë”, – është shprehur Mëhilli.


Rritja e pagave nga periudha 2005-2012 sipas qeverisë


Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.


Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005.


Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005.


Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005.


Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005.


Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005.


Raporti i pagave sipas qeverisë


Raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9 vjeçar me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5.


Raporti i pagës së infermierit  me pagën e kryeministrit,  që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, në vitin 2012 është 1 me 6.4.


Raporti i pagës mesatare me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1 në vitin 2012 është 1 me 4.6.


20 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)