Deklarata
Tirana zyrtare hyn në debat pas lirimit të Haradinajt
Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një procesi hetimi prej kaq vitesh nën akuza të përsëritura nga ish-prokurorja e Përgjithshme e TPNJ-së, Karla del Ponte. “Opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokuroreve të famshëm të TPNJ-së, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Millosheviçit, si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga prokurorja Karla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të TPNJ-së dhe shkarkimin e tyre nga çështja”, thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare. Në bazë të këtyre deklaratave, qeveria e Republikës së Shqipërisë thekson se do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe ndërmarrin një hetim të pavarur ndaj ish-prokurores së TPNJ-së, Karla del Ponte, në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. “Qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të prokurores Karla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm”, thuhet në fund të njoftimit.