Qeveria pranon krizën financiare dhe miratoi sot vendimin për uljen e shpenzimeve buxhetore. Në vendim parashikohet bllokimi i fondeve buxhetore që kishin për adresë trajnimet dhe seminaret jashtë vendit, reduktimin e mbulimit të shpenzimeve të telefonave celularë në masën 20%, ndërsa ka kërkuar reduktimin e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Ndërkohë qeveria ka vendosur që të mos rekrutohet asnjë punonjës i ri në administratë, deri në fund të vitit. “Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave”, thuhet në vendim.
Vendimi vjen me propozim të Ministrave të Financës dhe në të parashikohet edhe një rregull për prokurimin. “Pas datës 7 shtator 2012, botimi i çdo lloj njoftimi, përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime operative të njësive të qeverisjes qendrore, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të bëhet me miratimin e ministrit të Financave, pas vlerësimit të burimit të financimit. Përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore, që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi”, thuhet në vendim.
Por ndërsa administratës do “ti shtrëngohen rripat”, qeveria ka vendosur të ” zgjidhë qesen” për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një nga vendimet e sotme të qeverisë janë përcaktuar kriteret për kompensimin e një punonjësi të SHISH, që për nevoja të punës dhe interesa të shërbimit, caktohet jashtë vendbanimit të tij.
“Në këto raste përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:
a) Nga 36 km deri 60 km, në masën deri 8 000 lekë/muaj;
b) Nga 61 km deri 100 km, në masën deri 10 000 lekë/muaj;
c) Nga 101 km deri 150 km, në masën deri 13 000 lekë/muaj;
ç) Nga 151 km deri 200 km, në masën deri 15 000 lekë/muaj;
d) Mbi 200 km, në masën deri 20 000 lekë/muaj.
Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të SHISH-it, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të qendrës së punës, ku punonjësi është transferuar. Kjo pagesë do të përfitohet edhe nga punonjësit që janë aktualisht të transferuar, por jo nga punonjësit që emërohen për herë të parë në SHISH.
2. Për përfitimin e pagesës sipas pikës 1, të këtij vendimi, punonjësi i SHISH-it, paraqet pranë Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore, dokumentacionin e poshtëshënuar:
a) kërkesë me shkrim, me gjenealitetet e plota, adresën ku banon aktualisht familja e tij, si dhe adresën ku banon përkohësisht vetë punonjësi;
b) fotokopje të kartës së identitetit dhe certifikatë të gjendjes civile;
c) vërtetim nga njësia administrative, ku të vërtetohet vendbanimi i familjes dhe i vetë punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit, pavarësisht nga gjendja civile.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Shërbimin Informativ të Shtetit.
4. Ngarkohet Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare”, thuhet në vendimin e qeverisë.
5 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)