Fiks Fare
Investigimi nxjerr problemin e ripërpunimit
Akullore me fryrës artificialë dhe qumësht pluhur.
Një akullore e shkrirë dhe më pas e ringrirë është një akullore e prishur e cila s’duhet konsumuar. Në disa raste, akullorja nuk ruhet në formën e duhur, as në afatin e caktuar
Kjo është akullorja që konsumojnë në shumicën e rasteve banorët e kryeqytetit. Pothuajse të gjithë tregtarët e akullores në Tiranë pranojnë se përdorin në përgatitjen e akullores një lëndë fryrëse që rrit masën e akullores dhe sigurisht fitimit të tregtarëve si dhe esenca të ndryshme. Investigimi i emisionit “Fiks Fare” pati në qendrën e vëmendjes së tij një produkt shumë të konsumueshëm gjatë verës, akulloren. Ky produkt shumë delikat i përftuar nga qumështi, veza, sheqeri dhe kremërat e qumështit duhet ruajtur në kushte të veçanta.
Temperatura e ruajtjes së saj duhet të jetë konstante. Investigimi i “Fiks Fare” tregoi që këto kushte nuk plotësohen nga tregtarët, të cilët njëherësh janë edhe prodhuesit e akullores. Madje gjeti raste kur akullorja tregtohej e shkrirë në vasketën e saj. Tregtarët pohojnë se e ruajnë akulloren që nuk arrijnë ta shesin edhe për disa ditë, madje ka raste kur thonë se akullorja mund të qëndrojë për javë apo muaj në frigorifer. “Akullorja është si mishi, nuk prishet dhe një vit po ta mbash”, thotë njëra nga tregtaret.
Ata tregojnë disa mënyra sesi e riciklojnë akulloren e mbetur për disa ditë, duke e përzier me akullore të sapopërgatitur dhe e rihedhin në treg, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve. Ky veprim është johigjenik, por është gjithashtu në kundërshtim me ligjin për ushqimin. Produktet e përdorura për akulloren ishin gjithashtu pjesë e investigimit. Për të rritur fitimin e tyre, shumica e prodhuesve të akullores përdorin lëndë si “svelto” apo “velex”, të dy këto emra tregtarë të një substance që përdoret për të rritur masën e akullores.
Këto produkte nuk janë të ndaluara me ligj, por vetë tregtarët tregojnë që duhen përdorur me shumë kujdes. Për një litër qumësht duhet përdorur vetëm 4 gramë nga kjo lëndë.
Një nga tregtaret tregon: “Kjo lëndë e fryn akulloren edhe rrit peshën e saj, por është e rrezikshme”.
Qumështi pluhur dhe esencat janë një tjetër element që përdoren për të rritur fitimin.
Tregtarët tregojnë se qumështi pluhur është baza e tyre për prodhimin e akullores, pasi është dhe me më pak shpenzime. Nga 1 kilogram qumësht pluhur, i cili kushton 600 lekë, përftohet 9 kilogramë qumësht i lëngshëm, ndaj fitimi rritet ndjeshëm.
Në bazë të ligjit të ushqimit, janë tregtarët përgjegjësitë kryesorë për kushtet e ruajtjes së produktit që ata vetë prodhojnë dhe tregtojnë. Ata gjithashtu kanë detyrim ligjor të analizojnë çdo prodhim të ri që nxjerrin në treg.
Investigimi i transmetuar mbrëmë në “Fiks Fare” tregon që analizat e produktit të akullores tregtarët i bëjnë një herë në vit, por ka gjithashtu nga ata tregtarë të cilët marrin fletë të gatshme analizash dhe nuk e analizojnë produktin. Askush nuk ua kontrollon fletë-analizat me të cilat duhet të shoqërojnë çdo prodhim të ri që hedhin në treg.
Specialistja e sektorit ushqimor pranë AKU, Elvira Dibra, na tregon që akullorja duhet ruajtur për orë, ose maksimumi një ditë. Sipas saj, në treg nuk ka akullore që riciklohet apo që të ruhet në frigorifer më shumë se një ditë, ndërkohë që pamjet e publikuara dje në “Fiks Fare” tregonin të kundërtën.
“Ne u bëjmë thirrje konsumatorëve që të blejnë në vende të cilat plotësojnë kushtet higjieno-sanitare”, thotë Dibra.
Specialistët e AKU-së, si shenjë dalluese të akullores së ndenjur konsiderojnë grimcat e akullit. Këto grimca akulli, sipas specialistes së AKU-së, tregojnë se akullorja ka shkrirë dhe është ngrirë përsëri.
Ndërkohë që vetë tregtarët pohojnë se akulloren e ndenjur e përziejnë me akullore të re, për të humbur të gjitha shenjat që tregojnë se është ricikluar.