Flamuri – Partia Socialiste e ka kthyer flamurin e saj elektoral ngjyrë rozë, në ngjyrën e purpurt të Rilindjes. Përveç dekorit brenda selisë, tashmë këtë ngjyrë e mban dhe flamuri.
Aktiviteti – Aleati i munguar i PS-së në koalicionin parazgjedhor, Kreshnik Spahiu, paralelisht me aktivitetin e PS-së në Pallatin e Kongreseve, zhvilloi një tubim elektoral vetëm pak metra larg.
Simbolika – PS ishte munduar ta përthyente simbolin e bashkimit dhe rilindjes me partitë aleate në të gjithë elementet që shoqëruan pjesën e parë të Konventës.
Konventa Kombëtare
PS tregon forcën e aleancave dhe mbështetjen e europianëve
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste demonstroi dje në sallën e Pallatit të Kongreseve, forcën e së majtës së bashkuar si dhe mbështetjen që i vjen nga partitë europiane. Pavarësisht deklaratave herë-herë të tensionuara të aleatëve të Berishës, Rama tregoi se jo vetëm ka mbështetjen e tyre në këto zgjedhje, por dhe atë të figurave të rëndësishme tradicionale të PS-së, si Dritëro Agolli por dhe Rexhep Meidani. Dita e parë e Konventës së PS-së, që kishte në thelb prezantimin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ishte kuruar në detajet më të imta, duke nisur nga atmosfera në sallë dhe deri tek koreografia artistike në skenë. Në parcela të ndara, aktivistët e çdo partie të koalicionit valëvisnin nën ngjyra të shumta flamujt e tyre elektoralë, ndërsa në skenë “Rilindja” personifikohej me një grup balerinësh të cilët mantelin e zi që i mbulon, e zhvishnin për të nxjerrë në pah kostumet e bardha popullore nga treva të ndryshme. Edi Rama i rrethuar nga të gjithë aleatët e PS-së theksoi dje se
zgjedhjet e 23 qershorit janë po aq historike sa zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992. “Më 22 mars populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësor për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një kapitull të ri. Më 23 qershor populli shqiptar me një votë plebishitare do ta mbyllë kapitullin e rrënimit dhe do të hapë një kapitull të ri”, deklaroi Rama. Ai theksoi se shqiptarët nuk do të votojnë më 23 qershor “trenin e mallrave” që po shkon drejt humnerës por “trenin” që do t’i çojë përpara drejt një rruge të re.
Aleatët
Konventa Kombëtare e PS-së nisi dje me një mesazh të dërguar nga Dritëro Agolli, i cili shprehte bindjen se e majta e bashkuar do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. “Bashkimi është fuqi dhe shpresë. Edhe lumenjtë bashkohen, madje edhe detet. Një njeri i vetëm ka në fillim iluzione, pastaj bashkohet me një komunitet, shoqatë apo parti. Kur ndahet nga shokët, kujton se do të bëjë vezën e patës, por ulet dhe bën vezën e rabeckës. Të bashkuar në fitore dhe pas fitores më pak fjalë, më shumë punë dhe më shumë ekonomi”, theksonte në letrën e tij, patriarku i PS-së. Më pas fjala i kaloi profesor Rexhep Meidanit, i cili theksoi se e majta e bashkuar duhet të realizojë rotacionin urgjent që kërkohet në vend. “Kjo konventë do t’i shërbejë mobilizimit të mëtejshëm të radhëve elektorale, me një objektiv të madh – realizimin e rrotacionit qeverisës, ndryshimit të ri politik. Kjo bëhet edhe më urgjente në këtë fazë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar”, theksoi Meidani. Aleati tradicional i PS-së, Skënder Gjinushi i PSD-së deklaroi se opozita e bashkuar ka një mision historik për realizimin që kërkon një bashkëpunim real deri në fund të fushatës dhe një taktikë të zgjuar elektorale, për të përfituar nga tekat e sistemit. Paskal Milo i PDS-së theksoi dje se kjo Konventë është një manifestim i vullnetit të përbashkët politik për t’i dhënë Shqipërisë një ndryshim rrënjësor shumë të mirëpritur, që mund ta realizojnë vetëm forcat e majta. Vangjel Dule i PBDNJ-së theksoi se fitorja e së majtës do të jetë plebishitare dhe se rotacioni do të jetë me kuptim pa krahinarizma, klientelizma dhe bindje partiake. Ilir Meta i LSI-së tha dje nga Konventa e PS-së se bashkimi i së majtës është një aksion politik në koherencë të plotë dhe ka ardhur si një
detyrë dhe përmbushje që buron prej dëshirës së qytetarëve që duan t’i japin fund tranzicionit për të hapur një rrugë të re në Europë. Në Konventë përshëndetën dhe aleatë si Spartak Ngjela, Petro Koçi etj.
Europianet
Konventa e së majtës së bashkuar u përshëndet dje dhe nga personalitete të njohura të së majtës europiane, si Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta, i cili uroi suksese në procesin elektoral. Një tjetër përshëndetje erdhi nga kryetari i Grupit Socialist dhe Demokrat në Parlamentit Europian, Hannes Swoboda i cili theksoi se rotacioni politik në Shqipëri është i domosdoshëm. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel, u shpreh në mesazhin e tij, se e majta shqiptare kishte përgjigjet e duhura për transformimin e Shqipërisë.
Zërat
Konventa e PS-së solli dje përmes videove zëra nga qytetarët të cilët folën për situatën e vështirë ekonomike në vend dhe papunësinë. Por të punësuarit folën edhe për problematikat në sektorë kyç të zhvillimit të vendit.