Debati për rrugët


Seanca e Kuvendit është fokusuar në debatet për investimet në rrugë. Këto debate të ashpra u bënë gjatë diskutimeve të 2 projektligjeve për Baypass-in e Fierit dhe për financimin e projektit të rrugës Levan-Tepelenë. Pavarësisht debateve opozita dha votnë pro këtyre dy projekteve. Dy nismat u miratuar me 126 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.


Lideri i opozitës takon përfaqësuesit e biznesit fason


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, paraqiti dje planin e Partisë Socialiste për rritjen e prodhimit industrial vendas, përgjatë një vizitë që zhvilloi në një nga bizneset fasone në Tiranë dhe një takimi me bordin e fasonistëve shqiptarë.  Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e këtij biznesi i shprehën kreut të opozitës shqetësimin e tyre përsa i përket mos përkrahjes së qeverisë. Përfaqësuesit e këtij biznesi në vend deklaruan se ata nuk kan as mbështetjen më minimale nga qeveria dhe po kështu nuk kanë përfituar asnjë lloj lehtësie fiskale. Si rrjedhojë e kësaj situatë, fasonët i pohuan shefit të opozitës se kishin ndërmarrë shkurtime drastike të stafit të punonjësve, duke i çuar shkurtimet në 30 përqind të numrit të përgjithshëm të punonjësve. Sipas tyre, shkurtimet e këtij stafi sjellin pasoja të drejtpërdrejta sociale, nisur nga fakti se të punësuarit në këtë industri janë gratë me të ardhura të pakta ekonomike. Nga ana e tij, Rama e konsideroi si shokuese këtë situatë dhe theksoi se opozita ka një plan të qartë për ta nxjerrë këtë industri nga falimentimi i mundshëm. “Ne kemi kalkuluar që në rast se ne në katër vjet investojmë për nxitjen e prodhimit vendas ku përfshihet edhe ky sektor 12 miliardë lekë, ne përfitojmë 51 mijë vende të reja pune dhe 18 miliard lekë taksa për shtetin në këmbim. Sigurisht, që kjo përbën një përmbysje radikale të këndvështrimit mbi prodhimin vendas dhe mbi sektorin dhe kërkon një politikë të re shumë agresive që duhet të fokusohet tek punësimi dhe duhet të lërë mënjanë shumë nga gjërat që deri më sot janë bërë dhe që kanë rezultuar si bjerrje e parasë në gropa dhe në drejtime krejtësisht të paditura.”, shpjegoi Rama, duke preferuar të flas me terma të qarta për zhvillimin e kësaj industrie.