Koalicionet


Kryetari i PS-së fton Spahiun, duke i kujtuar se ka dy zgjedhje politike


LSI: Tri ligjet – Rama theksoi se së shpejti do të nisin negociatat me LSI-në, por nuk ka një kusht të Metës për çështjen e tri ligjeve


“Të ndërtojmë Shqipërinë europiane pa nacionalizëm, që na lë në një cep të padëshiruar, ndërkohë që kemi të gjitha arsyet të kthehemi në një forcë lider në rajon”


Edi RamaLideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka lëshuar një ftesë dhe një paralajmërim për Aleancën Kuqezi dhe kreun e saj Kreshnik Spaiun. Duke folur në një konferencë për shtyp, së bashku me kreun e Internacionales Socialiste, Luiz Ajala, i cili mbërriti dje në Tiranë për të “bekuar” politikisht koalicionin PS-LSI, Edi Rama, deklaroi: “E kam thënë dhe e përsëris. Kjo është një betejë jo në një mjedis normal demokratik, jo midis alternativash që kanë fushë të lirë përballë një populli që mund të gjykojë lirisht dhe të ndajë do shkojë majtas apo do shkojë djathtas. Kjo është një betejë për t’u çliruar nga një regjim i cili ka prodhuar një kapitalizëm familjar. Dhe në këtë betejë dëshiroj ta theksoj për gjithë shqiptarët se kemi nevojë për një front opozitar dhe jo për axhenda të ndara nga axhenda e këtij fronti. Unë uroj që edhe Aleanca Kuqezi të jetë pjesë e këtij fronti dhe jam shumë i dëshiruar të besoj deri në fund që në Shqipëri nuk do të përsëritet skenari i njohur i shumë diktaturave të korrupsionit që për t’i shpëtuar fronteve opozitare, prodhojnë parti radikale kundër vetvetes për të çoroditur votën e popullit”. Lideri i socialistëve shqiptarë shtoi më pas se është i hapur për çdo parti që të bashkohet me koalicionin e opozitës për dy qëllime: “Qëllimi afatshkurtër, partia familjare e Saliut dhe vetë Saliu si kreu i qeverisë të largohen më 23 qershor duke i dhënë mundësi Partisë Demokratike të rilindë në opozitë gjithashtu. Dhe dy, të ndërtojmë Shqipërinë europiane pa nacionalizma që na lënë në një cep të padëshiruar, ndërkohë që kemi të gjitha arsyet të kthehemi në forcë lider në rajon së bashku me Kosovën. Dhe pa retorika që historia e re dhe e vjetër e zhvillimeve demokratike ka provuar se premtojnë parajsën, por ndërtojnë vetëm ferrin”.


Tri ligjet


Kryetari i PS-së, ndërkaq, ka refuzuar sërish komentet se miratimi i tri ligjeve të famshme është një kusht në lidhje me aleancën PS-LSI. Rama ka theksuar se së shpejti do të nisin negociatat me Lëvizjen Socialiste për Integrim për detajet e koalicionit parazgjedhor. “Është bërë një spekulim i madh për këtë. Ne do të jemi në procesin e negocimit të një dokumenti që do t’ua paraqesim shqiptarëve si koalicion. Ju siguroj se në procesin e afrimit dhe të bashkimit të forcave në një front opozitar nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë kusht nga ana jonë ndaj LSI-së dhe nga ana e LSI-së ndaj nesh. Asnjë kusht! Ka pasur dhe ka reflektim, analizë dhe angazhim për të transformuar Shqipërinë. Tri ligjet as nuk kanë qenë dhe as nuk janë kusht i vendosur mes nesh. Tri ligjet janë pjesë e sfidës së integrimit dhe për ne qëndrojnë pjesë e kësaj sfide dhe jo të veçuara prej saj. Ne s’kemi besuar asnjë ditë se Shqipërinë nga Europa e ndajnë tri ligje dhe ne besojmë se Shqipërinë nga Europa e ndajnë tri pushtete që sot mungojnë”, deklaroi Rama. Kreu i PS-së ritheksoi se thelbi i qëndrimit të opozitës për çështjen e integrimit nuk ka ndryshuar. “Një pushtet legjislativ, i cili të mos kontrollohet nga ekzekutivi dhe nga interesa që përmes ekzekutivit kopsitin ligje për të grabitur Shqipërinë. Një pushtet ekzekutiv që të mos kontrollohet nga korrupsioni dhe një pushtet gjyqësor që të mos kontrollohet nga ekzekutivi dhe korrupsioni së bashku. Këto tri pushtete e ndajnë Shqipërinë nga Europa. Ne jemi të vendosur që t’ia japim Shqipërisë këto tri pushtete në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe të aspiratës europiane të shqiptarëve”, deklaroi Rama.


 


Ministrja


Bregu: O kryetar, Meta po t’i fut këmbët në një këpucë!


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama, se nuk po thotë të vërtetën në lidhje me çështjen e tri ligjeve. Në një postim të shkruar në faqen zyrtare në “Facebook”, Bregu shkruan: “Kandidati për draft kryeministër, i ‘madhi’ Edi Rama, sot na tha: ‘Votimi i tri ligjeve as nuk ka qenë e as është kusht mes PS-së dhe LSI-së.’ Mos ia fut kot o Edi Rama! Ilir Meta ka pohuar të kundërtën, pra që t’i ka vënë si kusht! Ditën kur zyrtarizoi koalicionin me ty, Meta tha se LSI-ja ka si prioritet të parë miratimin e tri ligjeve brenda mandatit të këtij Parlamenti. Do ta shtysh dhe ca ditë votimin Ed Rama, sa të harrohet që po t’i fusin të dyja këmbët në një këpucë???!!! Bëj si të bësh, e bëjë shpirtin gur e votoji tani tri ligjet! Zaten, pasi u sigurove nga kush munde, që statusin e dogje për të tretën herë, votoji e mos i zhgënje pa filluar garantët e marrëveshjes së re!”


 


Nënkryetari i grupit


Braçe, kritika PS: Nuk foli asnjë fjalë për 7 prillin


Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kritikuar lidershipin e partisë së tij, se ka harruar për të mbajtur një qëndrim në lidhje me rastin e përkujtimit të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 dhe lindjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në rrjetin “Facebook”, Braçe shkruan: “Prita deri tani, por hiç!!! Sot (dje) është 7 prilli! Dita kur fashizmi mbërriti edhe në Shqipëri! Përmendeni!


Madje kujtojeni dhe flisni me njerëzit për të. Edhe për fashizmin! Përmendeni se nga ajo ditë ka nisur beteja më e rëndësishme e shqiptarëve kundër tij, kundër fashizmit!


E bënë të rinjtë e asaj kohe, e bënë me sakrifica dhe gjak.


NA TAKON NE TË FLASIM! KURRKUJT TJETËR! Nuk mund ta përmendim fashizmin vetëm kur na duhet për të përballuar Berishën, qoftë si ‘fashizëm klasik’, qoftë si ‘fashizëm oriental’”.