Qëndrimi
Kreu i opozitës paralajmëron për prishjen e parkut kombëtar
Edi Rama, lideri i opozitës shqiptare, ka paralajmëruar ashpër ata që po prekin hapësirën publike dhe pasurinë e qytetarëve se do t’u shpronësohet çdo centimetër katror që kanë marrë në kundërshtim me ligjin nga qeveria e ardhshme. Duke dalë në një konferencë për shtyp për prishjen e parkut kombëtar të Tiranës, Rama ka përdorur një kërcënim në të ardhmen, duke qenë se një opozitë nuk mund ta bëjë atë aktualisht pa mjete ligjore.
“Ajo çka po ndodh në Tiranë me parkun kombëtar nuk është vetëm përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës, por edhe e qeverisë së vendit. Përpara se sa të them çfarë mendoj se është dramatike lidhur me atë që ndodh me parkun kombëtar, dëshiroj që t’i referohem simbolikës rrëqethëse të vizionit barbarizues për zhvillimin e qytetit që u mishërua në prerjen me sopat të një monumenti të trashëgimisë historike të qytetit, siç ishte lisi 220-vjeçar i E’them Beut buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sigurisht që shumëkush mund të shtrembërojë buzët, duke menduar se është diçka shumë e vogël për të merituar vëmendjen e opozitës dhe madje edhe prononcimin e kryetarit të opozitës. Por në fakt nuk është aspak diçka e vogël, sepse është shprehja më shembullore e një vizioni barbarie, i cili e kërcënon Tiranën dhe e kërcënon zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit”, deklaroi Rama. Ish-kryetari i bashkisë ka bërë një rezyme të rezistencës në Këshillin e Rregullimit të Republikës, të gjithë tendencës për ta shkatërruar parkun e Tiranës. “Në vitin 2004, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës e ka përkufizuar parkun kombëtar dhe për vite me radhë i është bërë rezistencë nga Bashkia e Tiranës çdo lloj përpjekjeje dhe çdo lloj presioni prej interesash private për të ndërtuar në zonën e parkut”, theksoi Rama, i cili akuzoi kryetarin e bashkisë dhe qeverinë se “zgjerimi i rrugës po përdoret si një alibi për t’i hapur rrugë interesave të klientelës më të afërt të pushtetit të sotëm të Kryeministrit dhe të të gjithë oborrit të tij”. Zgjidhja sipas liderit socialist do të jetë vota në zgjedhjet e ardhshme, pas së cilës “largimi i kësaj qeverie me votë dhe ndryshimi i qeverisë “Për një rilindje shqiptare” do të hapë një epokë të re dhe do të marrin fund të gjitha grabitjet, qoftë pasuritë e patundshme, qoftë të të drejtave të publikut”. Ndërkaq, Bashkia e Tiranës, në një deklaratë të sajën, ka kundërshtuar Ramën, duke theksuar se “Zgjerimi i Rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Projekti i zgjerimit me 6 korsi i Rrugës së Elbasanit parashikon mbjelljen e 480 pemëve dekorative”, thekson Bashkia”.