Qëndrimi


Lideri i opozitës: Bashkimi bëhet me vepra dhe jo me fjalë të hedhura në erë


“Një përçartje e tillë e cenon rëndë kauzën tonë kombëtare në sytë e të gjithë botës”


“E konsideroj të rëndësishme të ulemi me qeverinë e Kosovës, për sistemin e unifikuar arsimor”


Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, e ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha, si demagog dhe të papërgjegjshëm që me deklaratat e tij, “nacionaliste”, por rrezikon pozitat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Rama, madje e ka avancuar akuzën e tij edhe në malinjitet, pasi ndryshe bën dhe ndryshe thotë. Në një aktivitet të PS-së, ku u diskutua dhe për protokollin e ftesës së Pavarësisë, Rama deklaroi se nacionalizmat e shtirura cenojnë bashkimin e shqiptarëve. Kreu i socialistëve kritikoi ashpër deklaratën e Berishës për Prevezën, duke theksuar se ajo duket si e qëllimtë për t’u prishur punë shqiptarëve dhe për të prishur marrëdhëniet me fqinjët. “Të përmendësh Shqipërinë që u shtrika deri në Prevezë do të thotë që o je i papërgjegjshëm me fatet e vendit tënd ose të jesh qëllimkeq ndaj tij. Sepse një përçartje e tillë e cenon rëndë kauzën tonë kombëtare në sytë e të gjithë botës. Dhe cenon drejtpërdrejtë gati si në mënyrë të qëllimshme bashkimin tonë kombëtar në truallin e Europës së bashkuar. Jo në format e vjetra të imagjinatës dhe të praktikës, por në atë formë të imagjinatës që na imponon perspektiva europiane, për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët e Maqedonisë, për shqiptarët e Preshevës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në rajon”, argumentoi Rama. Po kështu, kreu socialist, theksoi se Kryeministri Berisha nuk kishte qëndrueshmëri në deklaratat që bënte. Sipas kryesocialistit, Berisha i dhuroi palës greke vetëm pak kohë më parë 300 kilometra katrorë det dhe ai tashmë bënte provokime ndaj tyre. Sipas Ramës, Kryeministri është përgjegjësi kryesor për sa i përket marrëveshjes së gabuar për ndarjen e kufirit detar me Greqinë. “Nuk mund të përmendësh Prevezën duke provokuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa lidhje fqinjët dhe nga ana tjetër të dhurosh me dorë territor shqiptar që i mungon sot në këtë 100-vjetor Pavarësie Shqipërisë 300 km katrorë det nga ai det që u vranë heronj që sot nuk e dinë njeri ku i kanë varret”, deklaroi Rama. Lideri i opozitës, gjithashtu gjeti rastin të theksonte se me ardhjen në pushtet, socialistët do të unifikonin një sërë qëndrimesh me qeverinë e Kosovës. Njëra prej tyre, sipas Ramës, do të ishte ajo që lidhje me sigurinë energjetike shqiptare në rajon. “E konsideroj të rëndësishme që vitin e ardhshëm ne si sot një vit do të jemi ulur me qeverinë e Kosovës, për sistemin e unifikuar arsimor, për sigurinë energjetike të shqiptarëve në rajon, për ofertën turistike shqiptare pa kufij. Po kështu, duhet të ulemi për planin mbarëkombëtar të zhvillimit bujqësor në funksion të sovranitetit ushqimor të shqiptarëve dhe në funksion të uljes së çmimeve dhe të rritjes së mundësisë së shqiptarëve për t’u ushqyer normalisht dhe për bashkimin doganor”, theksoi Edi Rama gjatë fjalës së tij. Sipas kreut të PS-së, kjo ishte rruga drejt bashkimit kombëtar, e cila përkufizohej nën flamurin e Europës së bashkuar dhe ajo nuk mund të kalonte në shtigje qorre të nacionalizmave folklorikë. Rritja e retorikës nacionaliste nga ana e Kryeministrit Berisha ka shkaktuar shqetësim te fqinjët dhe po kështu te strukturat e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkojnë stabilitet dhe ruajtjen e kufijve aktualë në rajonin tonë.


 



Batuta


Deti – “Nuk mund të përmendësh Prevezën duke provokuar në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa lidhje fqinjët dhe nga ana tjetër të dhurosh me dorë territor shqiptar që i mungon sot në këtë 100-vjetor Pavarësie Shqipërisë 300 km katrorë det nga ai det që u vranë heronj që sot nuk e dinë njeri ku i kanë varret”


 


Bilanci i opozitës


Lame: Pavarësia, një protokoll tallava


Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Artan Lame, e quajti dje protokollin e zhvilluar nga qeveria për 100-vjetorin e Pavarësisë si muzika ‘tallava’. Sipas tij, për turpin e të gjithëve, këto ditë historike u shoqëruan me kaos institucional, mungesë të theksuar profesionalizmi, folklorizma demode, tallava e butafori boshe që në disa raste arritën kulme të papara.


“Kryeministri bëri të pamundurën deri në minutën e fundit, që shqiptarët të mos ndiheshin bashkë në këtë festë, por të injektonte me çdo gjest, me çdo ndërhyrje, me çdo formë e prononcim, përçarje dhe dasi politike, krahinore, ideologjike e historike”, theksoi Lame në fjalën e tij. Lame theksoi se një prej shkeljeve që la më tepër gjurmë te të gjithë, qe përdhosja e simbolit tonë të përbashkët, shqiponjës dykrenore. “Ajo u shpërnda më qindra-mijëra kopje në një version të përçudnuar me sqep të shkulur e me një gjuhë të deformuar keqani”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së. Lame kritikoi ashpër dhe qëndrimin e Presidentit të vendit, Bujar Nishani, gjatë pritjes së madhe të mbrëmjes së 28 Nëntorit në Pallatin e Brigadave, ku fjalën e hapjes e mbajti një i huaj. “Imagjinoni sikur ceremoninë e 25-vjetorit të mos e kishte hapur vetë Mbreti Zog, por t’ia kish lënë hapjen bie fjala ambasadorit italian apo atij gjerman, që ishin më të fuqishmit e oborrit asokohe. Ende sot do ia numëronim Zogut si sahanlëpirje një gjest të tillë, por që Mbreti gjeti kurajën të mos e bënte”, deklaroi Lame. Ai theksoi se gafa të shumta qeveria kishte bërë dhe me monumentet e vendosura nëpër sheshe.