Kreu i PS-së zhvilloi dje një inspektim në rrugën që lidh kryeqytetin me Parkun Kombëtar
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga disa përfaqësues dhe deputetë vizitoi dje Dajtin, nga ku theksoi se mashtrimi i qeverisë me rrugët duket qartë, kur rruga që lidh Tiranën me këtë komunë të afërt ishte tërësisht e shkatërruar. Sipas tij, propaganda boshe e Kryeministrit për 10.400 kilometra rrugë të ndërtuara zhvlerësohet ende pa dalë mirë nga kryeqyteti. Rama theksoi se në daljen lindore të Tiranës, aty ku nis rruga për në Parkun e Dajtit, qytetarëve u duhet të kalojnë një kalvar të vërtetë, në një rrugë të shkatërruar dhe që duket qartë se nuk e ka njohur dorën e qeverisë prej një kohe të gjatë. Sipas tij, kjo situatë skandaloze nuk paraqitet në ndonjë zonë të thellë malore, por në periferi të kryeqytetit, në një aks që shfrytëzohet pothuajse nga gjithë qytetarët e Tiranës për të shkuar drejt malit të Dajtit. “Qeveria thotë se ka bërë 10.400 kilometra rrugë. Kjo është rruga nacionale që lidh kryeqytetin me Parkun Kombëtar të Dajtit dhe në këtë rrugë zvarriten dhjetëra mijëra qytetarë, qoftë ata që vijnë këtu sepse banojnë këtu, qoftë ata që kalojnë këtu sepse duan të shijojnë parkun kombëtar. Kjo është shprehja më kuptimplotë e faktit se sa rrugë janë ndërtuar në të vërtetë dhe se ku kanë shkuar paratë e popullit shqiptar. Ja kjo rrugë dhe shumë të tjera. Rrugët në Shqipëri kanë mbetur rrugëve dhe Shqipëria ka mbetur rrugëve, ndaj më 23 qershor këta duhet të hapin rrugë”, theksoi Rama. Në këtë kuadër kreu i PS-së përsëriti dhe një herë faktin se PS ka të faktuar se qeveria e Berishës ka bërë gjithsej 1515 kilometra rrugë dhe kjo shifër vërtetohet qartë nga të gjitha të dhënat zyrtare që disponojnë institucionet shqiptare por edhe ato ndërkombëtare. Rama, i shoqëruar dje në këtë dalje publike nga Artan Lame dhe deputetët Auron Tare, Besnik Baraj e Xhemal Qefalia, ka parë nga afër situatën e rënduar në këtë aks të rëndësishëm.
Qëndrimi i PS-së
Hafizi: PD e ka përdorur arsimin për propagandë
Partia Socialiste ka akuzuar Kryeministrin Berisha se ka dështuar me arsimin, duke e përdorur atë për propagandë politike gjatë tetë viteve të pushtetit. Kandidatja për deputete në Qarkun e Shkodrës, Mimoza Hafizi, deklaroi dje nga selia e PS se kjo është një tjetër arsye për të mos e votuar Berishën më 23 qershor. “Në këto tetë vjet ai shfrytëzoi paturpësisht institucionet arsimore të të gjitha niveleve për propagandë politike, për premtimet e mashtrimet e radhës, për të shpalosur pa etikë e pa asnjë pikë kujdesi ndaj moshës, gjuhën e shëmtuar të urrejtjes mbi opozitën”, deklaroi Hafizi.