Biberaj: Bëhet nacionalist sa herë është në vështirësi
Fatjona Mejdini
Opozita shqiptare ka reaguar ndaj rritjes së shfaqjeve të nacionalizmit nga ana e Kryeministrit Berisha, klimë e cila po shikohet me dyshim nga palët në vend dhe me shqetësim nga fqinjët e Shqipërisë. Kryetari i opozitës, Edi Rama, përgjatë një interviste të mbajtur në emisionin “Rubikon” në televizionin “Kohavizion” në Prishtinë, ka theksuar se tendenca e Berishës për nacionalizëm është keqpërdorje e ndjenjës kombëtare. Sipas Ramës, bashkimi kombëtar është një proces që mund të ndodhë në kuadër të Europës së bashkuar dhe nuk duhet të luhet keqas. Nga ana tjetër, deputeti socialist i Vlorës, Eltar Deda, deklaroi se Kryeministri Berisha, pavarësisht dëshirës, nuk mund t’i ngjasojë Ismail Qemalit, duke nisur nga mbledhja e qeverisë që do të mbahet nesër në Vlorë. Fryma e Re Demokratike ka qenë më e ashpër ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha, duke e quajtur këtë një strategji për dështimet e qeverisë dhe largimit nga Europa. Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandër Biberaj, deklaroi se kjo klimë e krijuar së fundmi në vend nga ana e Kryeministrit Berisha, po keqpërdoret nga qarqet antishqiptare.
PS
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka theksuar në intervistën e tij për KTV-në, se nacionalizimi shpeshherë mund të jetë i thjeshtë dhe vetëm një keqshfrytëzim i plagëve e i ambicieve të kombit tënd për përfitime të atypëratyshme. “Unë besoj se ne duhet të shohim sot më qartë në këtë njëqindvjetor për të shkuar dhe për të lexuar të ardhmen dhe duhet të konceptojmë një projekt modern të bashkimit kombëtar në funksion të rrugës sonë drejt Bashkimit Europian”, ka deklaruar kryetari i PS-së. Sipas tij, bashkimi kombëtar me Kosovën po keqpërdoret nga politika, duke shfrytëzuar historinë e kombit shqiptar. “Bashkimi kombëtar, aq sa është një burim i qasjes sonë për shkaqe historike, sepse jemi të vetëdijshëm se bashkimin kombëtar e ka shoqëruar rezistenca shqiptare shumë e shumë vjet, edhe përtej pavarësisë, Lidhjes së Prizrenit dhe më herët, po aq është, nga ana tjetër, edhe një slogan politikisht i keqpërdorur”, deklaroi Rama. I ashpër ndaj qëndrimit të qeverisë për të mbajtur një mbledhje nesër në Vlorë, u shfaq edhe deputeti socialist i këtij qyteti, Eltar Deda. Sipas tij, Berisha pasi e kishte fyer Vlorën, tani kërkonte të imitonte edhe Ismail Qemalin. “Si kofini pas të vjelave, Saliu vjen në Vlorë në emër të simbolikës. Mbasi gjatë një viti rresht, kur qytetarët e Vlorës, me zërin e tyre, me zërin e kryetarit të bashkisë, i kërkuan atij vëmendjen e duhur të qytetit tonë, atë vëmendje që i kushtuan burrat e mençur 100 vite më parë Ismail Qemal Bej Vlorës. Sali Berisha nuk mund ta kopjojë dot Ismail Qemal Bej Vlorën, sepse ndahen në qëllimin e ekzistencës së qeverive. Shpallja e Pavarësisë para 100 viteve dhe krijimi i qeverisë së Ismail Qemal Bej Vlorës, kishin qëllimin e vetëm bashkimin e trojeve të të gjithë Shqipërisë, krijimin e shtetit shqiptar”, deklaroi Deda.
FRD
Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, i cilësoi veprimet e fundit të Berishës, si përpjekje për të dalë nga situata e dështuar me integrimin europian. Madje, sipas tij, qëndrimet nacionaliste të Berishës po keqpërdoren nga qarqet antishqiptare. “Sa herë dështon Kryeministri dhe qeveria e tij në politikat e brendshme, sa herë që ka fushata elektorale, ai e tund kartën e nacionalizmit, ndërkohë që nuk ka asnjë lidhje me patriotizmin dhe as me nacionalizmin. Përkundrazi po i lejon vetes të keqpërdoret nga qarqet antishqiptare”, deklaroi Biberaj në emër të FRD-së.
Portali – Në faqen e internetit “gazeta-shqip.com”, do të lexoni komente dhe analiza mbi përdorimin e nacionalizmit si kartë elektorale në fushatë
1 – Preveza – Shfaqja e parë e qëndrimit të Berishës kundrejt nacionalizmit deri në datë 27 nëntor ishte nga Vlora, ku foli për Prevezën dhe Preshevën
2 – Sipërfaqja – Dy ditë më vonë, Berisha deklaroi se Shqipëria kishte pasur një sipërfaqe prej 64000 kilometrash katrorë
3 – Fqinjët – Berisha i theksoi qëndrimet e tij nacionaliste, duke shtuar se fqinjët ishin “albanofobë” dhe të “frikur” nga disa të vërteta historike
4 – Vlorë – Qeveria Berisha ka deklaruar se festimet për 100-vjetorin nuk janë mbyllur ende dhe ato do të vijojnë edhe nesër në Vlorë