Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përmes rrjetit social Twiter e ka cilësuar si vulgare gjuhën e përdorur nga kryeministri ndaj ish të përndjekurve politike.


Sipas liderit të opozitës, shefi i qeverisë këtë kategori në vitet ‘90 e quante llumi i shoqërisë, ndërsa sot i cilëson trafikantë dhe fundërrina.


Për Edi Ramën treguesi i marrëzisë që ka kapluar kryeministrin janë edhe deklaratat e tij të fundit për biseda me Zotin, çka sipas socialistit sa do të vijnë e do të rëndohen me afrimin e zgjedhjeve. “Asnjë çudi për gjuhën vulgare të kryeministrit ndaj të burgosurve politikë! Në dhjetor ’90 i quante llumi i shoqërisë, sot trafikantë dhe fundërrina. Kryeministri që tha fola me Zotin dhe u bëmë aleatë për zgjedhje, na tregoi se sa më afër zgjedhjeve aq më shumë shpifje e marrëzi do dëgjojmë nga ai”, shkruan Rama.


Për kreun e opozitës viti 2013, do të jetë pikënisja e një ndryshimi të madh ku hapësirë të veçantë do të ketë edhe për të përndjekurit politikë që për 22 vjet, siç thekson Rama, kanë mbështetur një përbuzës gojështhurur.


16 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)