PS: Tryeza e partive të mblidhet urgjentisht, nuk ka kohë për dokrra
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se partia që ai drejtonte kërkonte me çdo kusht që diskutimi për Presidentin e ri të bëhej në një tryezë të përbashkët mes palëve. Po kështu, ai theksoi se PS vijonte të ishte e qëndrimit se reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe imunitetet duhet të diskutoheshin në këtë tryezë, sepse në fund të fundit rëndësi në këto momente kishte hapja e rrugës për statusin e vendit kandidat. Përpara deputetëve të grupit parlamentar të PS-së dhe në rrjetet sociale, Edi Rama i ka mëshuar idesë se tryeza e gjithë partive parlamentare është një kusht i domosdoshëm dhe se do të kishte një krizë në vend në rast se nuk do të paraqitej një kandidat sot në raundin e parë të votimit për President. Sipas Ramës, ka ardhur momenti që Berisha mos të “llastohet” në lidhje me nevojën e një takimi mes tyre, por të mendoj për të ardhmen e vendit në të moment të vështirë dhe kyç. “Të bardhën të zezë e të zezën të bardhë Kryeministri e ka mësuar në shkollën e Enverit, s’ia kalon kush këtu, por unë përsëris: Vullnet politik jo dokrra! Saliu llastohet çuditshëm si teze nazemadhe që po i luten për kafe, ndërkohë që sot tryezën e dialogut politik e kërkon interesi kombëtar!”, thekson Rama në rrjetin social për sa u përket akuzave të Berishës, se po mundohej të bllokonte procesin. Nga ana tjetër, paraditen e djeshme Rama shpjegoi përpara deputetëve të tij, se pse kërkonte që në tryezën për President të diskutohej dhe për reformat që vendi duhet të përmbushte. Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me strukturën aktuale nuk mund të qëndronte më, nisur dhe raporti i ashpër i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili theksonte se në Shqipëri nuk përfillet më e drejta e votës. “Berisha refuzon kokëfortësisht përmbylljen e reformës zgjedhore, edhe pse DASH thotë qartë se në Shqipëri është minuar e drejta më themelore, e drejta e votës. Ajo që raporti e thotë troç për KQZ-në e Arben Ristanit, flet për drejtësinë e kërkesës sonë për ndryshimin e saj”, deklaroi Rama, duke dalë në konkluzionin se këmbëngulja e Berishës për ta mbajtur në gjendjen aktuale KQZ-në flet hapur për synimin e tij për të vjedhur zgjedhjet. Duke e quajtur kompletimin e reformës zgjedhore si pikën kyçe për t’u zgjidhur mes PS-së dhe PD-së, kreu i socialistëve theksoi se partia që ai drejtonte nuk mund të toleronte që në krye të institucionit më të rëndësishëm zgjedhor të ishte një “vrasës”. “Si mund ta imagjinojë Berisha që ne të pranojmë një reformë zgjedhore që nuk garanton largimin e Ristanit dhe zgjedhjen e kryetarit me konsensus ose me ballafaqim kandidaturash. Berisha kërkon që ne të pranojmë kandidaturën e tij. Është e pamundur. Nëse Berisha nuk do të mbajë në majë të KQZ killer-in e zgjedhjeve, zgjidhja është e thjeshtë”, deklaroi Rama. Sipas tij, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri, duhet t’i bënte të ndërgjegjshme palët politike të ndryshonin kursin e tyre në kuadër të nevojës emergjente për t’u afruar me BE-në.