“Sot ne përballemi me një krizë ekonomike që godet më të dobëtit. Dhe sigurisht më të dobëtit ndër të dobëtit janë personat me aftësi të kufizuar, që janë dhe viktimat në vijë të parë të krizës ekonomike”. Me këto fjalë u është drejtuar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama personave me aftësi të kufizuar gjatë një takimi përmbledhës të zhvilluara në kuadër të detajimit të programit për një Rilindje Shqiptare.
Në këtë aktivitet, i cili përmbyllte një tur të gjatë prej 12 takimesh në të gjitha qarqet e vendit, merrnin pjesë përfaqësues dhe anëtarë të të gjitha shoqatave të personave me aftësi të kufizuar, deputetja socialiste Eglantina Gjermeni si dhe kryetari i Grupit të Punës për Çështjet Sociale në PS, Kosta Barjaba.
Kryesocialisti Rama ka premtuar që me ardhjen në pushtet, PS do të anulojë ligjet që prekën këto shtresa në nevojë. “Në 100 ditët e para të qeverisjes ne do ta anulojmë atë ligj i cili praktikisht ju zhveshi edhe nga të drejtat të shkruara në letër, se të drejta të marra në realitet, ju e dini mirë, janë shumë herë më pak sesa ato që ishin shkruar në letër. Pra qeveria me atë ligj ju tha, që as në letër nuk ju njoh të drejta, jo më pastaj në realitet, se ato ua kishte mohuar që ditën e parë që u ul në karrige”, ka thënë kryesocialisti Rama.
Sipas tij një tjetër ndërhyrje e menjëhershme e qeverisë do të synojë të rrisë hapësirat për punësimin e personave me aftësi të kufizuar në institucionet e administratës publike. “Në Europën ku duam të integrohemi ka një normë për marrjen në punë të personave me aftësi të kufizuar. Është një normë, e cila është standard i dinjitetit shoqëror të atyre vendeve. Ne do ta fusim këtë normë dhe do të detyrojmë të gjitha institucionet publike që ta respektojnë këtë normë, duke pasur një kuotë sado të vogël, por të domosdoshme për marrjen në punë në shërbimin publik, në administratën publike persona me aftësi të kufizuar”, është shprehur kreu i PS-së.
6 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)