Kreu i PS: Vlera për “Albpetrol”, jo bombastike


HEC-et: “Nga ky lloj privatizimi, jo vetëm shqiptarët humbasin 20 milionë dollarë dhe vazhdojnë të humbasin vit pas viti miliona e qindra miliona e miliarda dollarë, por nga ky lloj privatizimi ndodh edhe diçka tjetër, thellohet borxhi i shqiptarëve”


“Albpetrol”: “Në këtë proces është bërë një ofertë, e cila është quajtur bombastike. Për ne nuk është asfare bombastike. Sikur asgjë të mos ndodhë në ‘Albpetrol’, kemi 1.3 miliardë dollarë në 10 vjet të garantuara për atë që merr ‘Albpetrol’-in”


Taksat: “Ne do ta heqim taksën e kohës. Ne do të heqim edhe referencat. Ne do të heqim çdo barrë dhe çdo zinxhir që sot i rri mbi kokë apo e mban lidhur sipërmarrjen jo në emër të Kushtetutës, por vetëm në emër të babëzisë dhe të mungesës së plotë të respektit”


Edi Rama, lideri i opozitës shqiptare dhe kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 2013-s, ka deklaruar dje piketat e qeverisë së ardhshme, duke bërë premtime të forta që kanë të bëjnë me privatizimet e mëdha, heqje dhe lehtësim të barrës fiskale, mbështetje dhe subvencionim nga shteti, edhe pse fatura mund të shkojë në miliona euro dhe për më shumë, çdo vendim i qeverisë për taksat e tatimet do të merret vetëm me konsultim me biznesin. Paratë? Ku do t’i gjejë paratë qeveria e re nëse Rama fiton zgjedhjet? Për kreun e PS-së, paratë janë këtu dhe nuk kanë qenë asnjëherë problem, por vetëm keqpërdorohen, keqadministrohen dhe grabiten nga qeveritarët. Partia Socialiste ka zhvilluar dje një takim të zgjeruar për ekonominë ku është bërë analiza e zhvillimeve dhe premtimet sesi do të veprojë PS-ja kur të vijë në pushtet.


“Albpetrol”-i


Sipas kreut të opozitës, oferta e depozituar nga kompania që kryeson garën fillestare për të blerë kompaninë shtetërore “Albpetrol” nuk është aspak bombastike. “Për ne nuk është asfare bombastike. Së pari, ne nuk e dimë saktë se çfarë përmbajtje ka oferta, nëse të gjitha këto para, 850 milionë dollarë, janë para që ofrohen cash apo nëse përmbajtja e ofertës ka brenda shumën e investimeve të llogaritura si para dhe cash-i është më i vogël. Por, le të marrim rastin që oferta është cash. Vlera e ‘Albpetrol’-it në fakt nuk qëndron tek asetet dhe te kapitali që ai ka sot”, ka deklaruar Edi Rama, i cili në fakt ka bërë të qartë filozofinë e PS-së për këtë privatizim. “Asnjë shtet tjetër që ka një pasuri të tillë, siç është nafta, nuk ka nxjerrë në privatizim të drejtën e vetë në emër të qytetarëve që përfaqëson mbi këtë pasuri. Sigurisht, kudo, janë koncesionuar burime për të përfituar teknologjinë, për të rritur eficencën e shfrytëzimit të tyre, por asgjëkundi nuk janë privatizuar të drejtat e shtetit, pra të publikut mbi këto burime”. Pra sipas opozitës, privatizimi bën që kompania, e cila do të marrë “Albpetrol”-in të ketë ekskluzivitetin mbi tokën, nëntokën, detin dhe mjedisin dhe për 10 vjet të arrijë fitime deri në 1.3 miliardë dollarë pa investime të mëtejshme, pasi nëse bëhen këto, atëherë fitimi mund të ishte më i madh.


HEC-et


Në lidhje me nxjerrjen në shitje të hidrocentraleve, lideri i opozitës ka qenë sërish kundër, duke theksuar se shqiptarët kanë paguar me paratë e tyre rikonstruktimin e tyre dhe kompania që do t’i blejë, merr vetëm fitimin, duke rritur borxhin. “Nga ky lloj privatizimi, jo vetëm shqiptarët humbasin 20 milionë dollarë dhe vazhdojnë të humbasin vit pas viti miliona e qindra miliona e miliarda dollarë, por nga ky lloj privatizimi, ndodh edhe diçka tjetër, thellohet borxhi i shqiptarëve, sepse ata që i marrin privatizojnë fitimin. Ndërkohë që borxhet u mbeten në kurriz shqiptarëve”, deklaroi kreu i PS-së.


Fshati


Ka qenë i qartë dhe i prerë kandidati për kryeministër, Edi Rama, në lidhje me zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe nxjerrjen në treg të prodhimit të fermerëve. Në takimin e djeshëm për ekonominë, lideri i PS-së ka deklaruar: “Për ne socialistët, kur përfytyrojmë një rilindje shqiptare, një rilindje të ekonomisë kombëtare dhe familjare nuk mund të ketë asnjë shans që ky vend të rilindë dhe që ekonomia kombëtare dhe familjare e këtij vendi të rimëkëmbet pa rilindur fshatin. Ne jemi angazhuar që do ta mbështesim fermerin shqiptar, duke hequr akcizën e naftës, duke u zgjeruar pastaj te TVSH-ja për inputet, plehrat dhe farërat. Do të përmirësojmë rregullat, do t’i thjeshtojmë rregullat”


Biznesi


Edi Rama ka deklaruar dje se opozita premton se do t’i heqë biznesit të vogël barrën fiskale dhe biznesit të madh do t’i ofrojë më shumë mbështetje, më shumë respekt dhe çdo detyrim fiskal do ta bëjë i konsultuar. “Ne do të heqim çdo barrë dhe çdo zinxhir që sot i rri mbi kokë apo e mban lidhur sipërmarrjen jo në emër të Kushtetutës, as në emër të ligjit, as në emër të zhvillimit, por vetëm në emër të paaftësisë, të babëzisë dhe të mungesës së plotë të respektit për shqiptarët që sipërmarrësin”. Për biznesin e madh, Rama ka bërë apel që të mos u besojnë deklaratave frikësuese të Berishës për “taksën marksiste”. Sipas kreut të PS-së, ai që fiton më shumë, do të paguajë më shumë, por biznesi i madh do të lehtësohet. “Sot, ata vërtet paguajnë 10% taksë dhe kjo është taksa e shkruar, është taksa që merret dhe futet në arkën e shtetit. Por, ndërkohë ata paguajnë edhe një taksë tjetër, që nuk është e shkruar, por që është një shumë parash që nga xhepi tyre derdhet po njësoj, që është taksa e korrupsionit. Në rast se llogarinë e bëjmë me këto dy taksa, atëherë ajo që ata nxjerrin nga xhepi gjatë një viti është më e lartë sesa niveli më i lartë i progresivitetit sipas konceptit që kemi ne”, deklaroi Rama. Ai shtoi se nuk ka një shifër të paracaktuar nga ekspertët e PS-së, pasi çdo detyrim fiskal do të vihet pasi të dëgjohet zëri i biznesit të madh.


Biznesi i madh: “Do t’ju kërkojmë sipërmarrësve të mëdhenj që të kontribuojnë më shumë për të marrë më shumë. Për të marrë më shumë, duke filluar nga marrja mbrapsht e lirisë së tyre si njerëz, si qytetarë me liri dhe të drejta kushtetuese të barabarta”


Biznesi i vogël: “Ne kemi marrë një angazhim para pak ditësh, për të hequr taksën e biznesit të vogël. Kemi marrë një tjetër angazhim për ta mbështetur sektorin e fasonëve, ku vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur punën 30 mijë njerëz, të cilët vijnë nga familjet më të varfra”


Fshati: “Ne jemi angazhuar që do ta mbështesim fermerin shqiptar duke hequr akcizën e naftës, duke u zgjeruar pastaj tek TVSH-ja për inputet, plehrat dhe farërat. Do të përmirësojmë rregullat, do t’i thjeshtojmë rregullat”.


Kodheli: “Qeveria, sot, deri në këtë moment ka marrë 16.8 mld lekë borxh. Kjo është situata e qeverisë sot. Kjo është situata e financave publike sot. Deri në fund, vetëm interesa, pra jo pjesa që është borxhi i vërtetë, do të paguajë rreth 50 mld lekë. Këto vetëm interesa në një vit”


Braçe: “A mundet që një Kryeministër në ikje nga pushteti, në prag të fundit politik dhe biologjik, pra në kufij të përgjegjshmërisë para ligjit, të vendosë në mënyrë të njëanshme, përjashtuese për 30 vitet që vinë, duke përcaktuar – nisur nga interesa korruptive, të ardhmen e një brezi të tërë duke e marrë peng atë”?


Raporti: Deputeti i PS-së përmendi raportin e “The Economist” ku: “Shqipëria është në fund. Konkurrueshmëria është e ulët, që shoqërohet me të ardhura të ulëta për qytetarët, ndërkohë që për një grusht të vogël kompanish të lidhura me qeverinë, fitimet janë shtuar”