Emigracioni – Duhet të shohim përtej vendit ku ndodhemi dhe të shikojmë panoramën botërore të këtij emigracioni të dëshpëruar. Duhet bashkëpunim dhe jo të ndërtohen mure, që do të ishte vetëvrasëse për Italinë
Ekonomia – 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Nuk doni që unë të flas për shpërngulje të tyre, por për ndërkombëtarizim, vijnë nga kosto e ulët e punës dhe presioni fiskal shumë i ulët
Kryeministri flet për marrëdhëniet Shqipëri – Itali
BE – Ne dëshirojmë të futemi me çdo kusht në Bashkimin Europian, vazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh
Qëndrimi – Është e padrejtë dhe madje imorale që ata që bëjnë televizion dhe që mund t’u flasin njerëzve, bëhen zëdhënës të atij halli që nuk është alternativa, nuk është program, është vetëm një reaksion
Kriza – Është e vërtetë që Europa po kalon një moment të veçantë dhe të vështirë, por kjo nuk do të thotë që të kemi më pak Europë dhe të dalim nga Europa, Kjo për do të ishte që të dilnim nga historia
Artemisa Hoxha
Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një intervistë për publikun italian, i cili më së shumti e njeh jo vetëm si një mik të Kryeministrit të tyre Matteo Renzi, por edhe si një ish-kryebashkiak që kujtohet shpesh me ndërtesat e ngjyrosura dhe transformimin që bëri në kryeqytet. Në një intervistë ku ishte i ftuar në “Rai 3”, preku terma të ndryshme, që lidhin popujt e dy vendeve, teksa nuk ngurroi të përsëriste edhe një herë dëshirën e Shqipërisë për të hyrë në familjen europiane, edhe pse duket si paradoks, kur disa vende duan të dalin nga kjo familje. “Sigurisht, duket që është një paradoks i veçantë, që nuk janë të paktë ata që duan të dalin. Ne dëshirojmë të futemi me çdo kusht në Bashkimin Europian, vazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh. Mjaft të mendojmë për Britaninë e Madhe ose forcave politike në vende të tjera. Ne në Ballkan dhe në Shqipëri duam të hyjmë, sepse vazhdojmë të besojmë në këtë projekt të madh dhe mendojmë se, është e vërtetë që Europa po kalon sot një moment të veçantë dhe të vështirë, por kjo nuk do të thotë që të kemi më pak Europë dhe të dalim nga Europa. Kjo për ne do të ishte që të dilnim nga historia, por do të thotë sigurisht një bashkim më shumë i lidhur me fatet e njerëzve, më shumë politik dhe më pak burokratik”, iu përgjigj Rama pyetjes së moderatores italiane, Serena Bortone.
Emigracioni
Një temë e ndjeshme për të dyja vendet ishte edhe ajo e emigracionit, ku për Italinë, një nga vendet pritëse të fluksit të lartë të emigrantëve shqiptarë 25 vite më parë, nuk bën pak habi edhe situata e ndryshuar tashmë, që “Rai 3” e përcolli edhe përmes dokumentarëve. Duke mbështetur qëndrimin e presidentit të CDI-së, Pier Ferdinando Casini, i pranishëm gjithashtu në program, Kryeministri theksoi se në qasjen e tij, emigracioni duhet të trajtohet jo si një fenomen lokal apo rajonal, por botëror, që kërkon jo mure, por vizion dhe bashkëpunim. “Dua të përshëndes Pier Ferdinandon, që është një mik i mirë i Shqipërisë dhe një dëshmitar i gjithë këtyre viteve. Dua të nënvizoj që ajo që tha është e shenjtë. Duhet të shohim përtej vendit ku ndodhemi dhe të shikojmë panoramën botërore të këtij emigracioni të dëshpëruar. Duhet bashkëpunim dhe jo të ndërtohen mure, që do të ishte vetëvrasëse për Italinë. Gjithashtu duhet të kuptojmë se këta persona s’kanë asgjë për të humbur, kurse Italia ka gjithçka për të humbur. Të ndërtosh mur kundër një muri është një vetëvrasje jo vetëm politike, por mund të ketë pasoja shumë të rënda për njerëzit”, thekson kreu i qeverisë. Më tej, Rama shprehet se “thelbi qëndron pikërisht në atë që tha Pier Ferdinando. Është normale që njerëzit në lagje të ndihen të frustruar dhe të frikësuar, por është absolutisht e padrejtë dhe madje imorale që ata që bëjnë televizion dhe që mund t’u flasin njerëzve, bëhen zëdhënës të atij halli që nuk është alternativa, nuk është vizion, nuk është program, është vetëm një reaksion”. Për kreun e ekzekutivit shqiptar “të bësh këtë lloj politike vetëm për të mbledhur vota është të godasësh me thikë këtë vend, aq sa të paralizohet tërësisht përballë këtyre pyetjeve të mëdha, për të cilat askush nuk ka një përgjigje shteruese”.
Ekonomia
Në pyetjen e saj për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, ngriti si shqetësim faktin konkurrencën e pandershme, për faktin se ka shumë kompani shqiptare që veprojnë dhe punojnë në Itali dhe ka shumë italianë që shkojnë të punojnë e investojnë në Shqipëri, sepse taksat janë 15%. “Sot jemi në një gjendje të ndryshme nga 25 vjet më parë, kur shqiptarët vinin këtu, sepse ishin të uritur, ndërsa sot janë rreth 40 mijë shqiptarë që i paguajnë buxhetit të shtetit italian, që hapin sipërmarrje në Itali, ku janë tërësisht të integruar. Për të mos folur për studentët e rinj, që krahasuar me studentë që vijnë nga vende të tjera janë më të mirët për sa u përket rezultateve, por kemi edhe një situatë të anasjelltë, pasi 20 mijë italianë jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, e me qindra sipërmarrje që mbërrijnë. Ju nuk doni që unë të flas për shpërngulje të tyre, por për ndërkombëtarizim, vijnë nga kosto e ulët e punës dhe presioni fiskal shumë i ulët”, shpjegoi Rama, teksa dha dhe përgjigjen e fundit për moderatoren italiane, se pas emisionit do të kthehej në Shqipëri, pasi aty punohet dhe jo vetëm flitet.