Kreu i PS-së mori pjesë në konferencë në Torino të Italisë me krerët europianë socialistë


Vëmendja – Në konferencë është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes së majtës, veçanërisht në këtë vit që është vit elektoral për disa vende europiane, si dhe është theksuar se tashmë në realitetin europian fitorja e së majtës progresiste duket e sigurt


Balancat – Pas fitores në zgjedhje të socialistëve në Sllovaki, Francë dhe Rumani në 2012-n, zgjedhjet në Itali e Gjermani mund të ndryshojnë ekuilibrat në Këshillin e Europës, duke i hapur rrugë një mazhorance progresiste pas zgjedhjeve europiane të 2014-s


Fatjona Mejdini


10 shkurt Rama1Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje nga Torino e Italisë, se PS-ja kishte mbështetjen e fortë të së majtës europiane për të bërë të mundur rilindjen e Shqipërisë, përmes rrotacionit politik më 23 qershor të këtij viti. Këtë deklaratë, kreu i PS-së, i cili pak ditë më parë u zgjodh dhe zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, e bëri gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Rilindje për Europën: paqe, prosperitet dhe progres”, të zhvilluar në qytetin verior italian. Sipas Ramës, aktualisht e majta europiane po fiton avantazh në të gjithë kontinentin dhe premisat janë pozitive për triumf të saj dhe në Itali e Gjermani. Ai theksoi se PS-ja ndihej e mbështetur nga të majtët europianë dhe socialistët shqiptarë do të jepnin kontributin e tyre modest në kuadër të rilindjes së madhe europiane që po niste në kontinent. Sipas tij, bashkëpunimi i PS-së me socialistët europianë do të bëhej dhe më i fortë me fitoren e zgjedhjeve të qershorit. “Për të majtën europiane, këto momente janë shumë të rëndësishme për të nesërmen pas 23 qershorit. Ne po vendosim urat e bashkëpunimit qysh sot me qeveri dhe me kryeministra që janë përfaqësues të një gjenerate të re politike dhe që me patjetër duan një Europë të re ku ata që janë më mbrapa dhe Shqipëria është më mbrapa, të mos ndihen as të braktisur dhe as të vetëm në një udhëtim të përbashkët drejt shteteve të bashkuara të Europës”, ka theksuar kreu i PS-së, pas mbajtjes së konferencës në Torino. Sipas Ramës, PS-ja ndihet e përkëdhelur në sedër në një kohë që Partia Socialiste Europiane ka përqafuar sloganin e një rilindjeje për Europën, duke shtuar se është e ndjeshme kudo që era për Europën e të nesërmes po fryn majtas. Nga Torino, Rama akuzoi kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berisha, për kopjim të programit të PS-së për rilindjen. “Një personazh, i cili prej vitesh ka qenë në pushtet, bën sikur s’ka qenë aty dhe madje tashti së fundmi kopjon programin tonë të ‘Rilindjes Shqiptare’, në mënyrë të paskrupullt dhe kthen në propozime të vetat ato që janë shkruar në atë program të miratuar qysh në 5 nëntorin e vitit 2011. Për ne nuk ka asnjë problem, rëndësi ka që të përfitojnë shqiptarët. Ndërkohë që padyshim shqiptarët do të përfitojnë nga ‘Rilindja Shqiptare’ përmes votës për Partinë Socialiste dhe përmes një rotacioni politik, i cili do të sjellë transformimin e qeverisjes dhe të raporteve mes qeverisë dhe qytetarëve”, është shprehur kreu i Partisë Socialiste, Rama. Në konferencën e djeshme, morën pjesë shumë drejtues dhe personalitete të së majtës europiane, si Piero Fassino, kryebashkiak i Torinos, Martin Schultz, president i Parlamentit Europian, Gerhard Schroeder, ish-kryeministri gjerman, Victor Ponda, Kryeministri rumun, Zoran Milanoviç, Kryeministri kroat, Elio di Rupo, Kryeministri belg, Sergei Stanishev, president i PES, Hannes Swoboda, kryetar i grupit socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian etj.


 


Kandidati për kryeministër


Socialistët në Europë, mbështetje italianit Bersanini


pier-luigi-bersaniKonferenca e djeshme e të majtëve europianë pati si qëllim koordinimin e aksionit politik për të mbështetur Pierluigi Bersanin, kandidatin e majtë për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Itali më 24 shkurt. Qendra e majtë, e udhëhequr nga Bersanini, ka udhëhequr rezultatet e sondazheve prej muajsh në Itali. Ajo mund të fitojë rreth 38 për qind të votave, ndërsa aleanca e Berluskonit me Lidhjen e Veriut mund të fitojë rreth 28 për qind të votave. Një aleancë e Kryeministrit në ikje Mario Monti, e cila prezantohet si e qendrës, mund të marrë 14-15 për qind të votave. Në bazë të ligjit të shumëkritikuar zgjedhor të Italisë, Bersanini pritet të fitojë një shumicë të konsiderueshme në Parlament.