Opozita
Gjika: Të ndërhyjë Nishani, nuk ka festë më datën 27 në Vlorë
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste vendosi festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë në qendër të mbledhjes së grupit të saj parlamentar. Qëndrimin e kreut të opozitës, Edi Rama, se qeveria është e çorganizuar në protokollin e kësaj feste jubilare, e përforcoi dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i ftuar në mbledhjen e përjavshme me deputetët socialistë. Gjika bëri një sërë akuzash të ashpra ndaj Kryeministrit Berisha, duke theksuar se qeveria ka bërë të gjitha përpjekjet për ta bojkotuar festën në Vlorë dhe për ta zhvendosur në Tiranë. Pavarësisht kësaj, kryebashkiaku i Vlorës theksoi se infrastruktura e përcaktuar për këtë festë si dhe ceremonitë do të realizoheshin të gjitha, pavarësisht buxhetit të kufizuar që kishte lejuar qeveria për këtë qytet. Lideri Edi Rama theksoi se Berisha dështoi për të realizuar stadiumin dhe Parlamentin me rastin e kësaj feste, por e ka reduktuar atë vetëm në fishekzjarrë dhe butafori.
Gjika
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së theksoi se 28 Nëntori, si datë historike, ishte e lidhur ngushtë me qytetin e Vlorës dhe me emrin e Ismail Qemalit. Por pavarësisht kësaj, Gjika theksoi se qeveria kishte marrë të gjitha masat për t’i lënë buxhet minimal për këtë qytet në prag të kësaj ngjarjeje historike. “Praktikisht, Bashkia e Vlorës është me buxhet zero, sepse një akt normativ i ministrit Bode, i cili është bërë ‘de fakto’ pa marrë miratimin ‘de jure’ nga Parlamenti shqiptar, e ka zeruar llogarinë e Vlorës, e cila ishte parashikuar për 3-mujorin e katërt, ashtu siç e parasheh ligji i financave të pushtetit vendor për të kryer investimet publike, të cilat do të ishin plotësisht në dispozicion dhe plotësisht në shërbim të organizimit festiv të 28 Nëntorit”, theksoi Gjika. Ai shtoi se Berisha, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit ka akorduar rreth 5 milionë euro për organizimin e ceremonisë festive këtu në Tiranë dhe në Vlorë, ka akorduar vetëm 39 milionë lekë të reja. Pavarësisht kësaj, ai theksoi se të gjitha investimet e parashikuara për këtë datë do të jenë gati brenda datës 10-15 nëntor. Ky, sa ç’është lajm i hidhur për Sali Berishën dhe qeverinë e tij, besoj është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të Shqipërisë. Sipas tij, Vlora do të festojë ashtu siç i ka hije më 28 Nëntor dhe se nuk do të festonte më datë 27 ashtu siç kishte parashikuar qeveria. “E siguroj ministrin Bumçi dhe Kryeministrin e qeverisë shqiptare që janë duke bërë presion që kjo të bëhet darkë zyrtare më datë 27, ta harrojnë! Kush vjen në datën 27 nga qeveria le të marrë bukë me vete. Cilido shqiptar tjetër që do të vijë në datë 27, vlonjatët do t’u hapin derën dhe zemrën, ndërsa dreka zyrtare do të jetë më datë 28 dhe të gjitha ceremonitë do të jenë në datë 28”, theksoi ai.
Rama
Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se qeveria nuk ka as vizion europian, as projekt bashkëkohor, as plan veprimi për kremtimin e 100-vjetorit. “Ato pak copa plan kremtimesh, që i kemi dëgjuar deri më sot, janë si copa të grisura nga kostumi komunist i festave të Republikës së dikurshme Popullore. Ca monumente të realizmit socialist që do vihen kuturu nëpër Tiranë, ca flamuj për të mbathur bulevardin dhe rrugët, ca fishekzjarrë që do hidhen në qiell dhe padyshim edhe një mbrëmje gala ku do përzihet provincializmi i kohëve të vjetra me kostumografinë e shopingjeve nëpër Europën e sotme. Një stadium fantazmë, edhe një sallë e re Parlamenti po fantazmë, që vazhdojnë vijnë rrotull në pazarin e pretimeve qeveritare”, deklaroi Rama, duke shtuar se këto janë të shoqëruar me një lum broçkullash nga Kryeministrit Berisha.
Nishani – Gjika i bëri thirrje kryetarit të shtetit, Bujar Nishani, të mos lejonte që Protokolli i Shtetit për këtë festë të rëndësishme të mos lëvizte sipas oreksit të Berishës.
Nismat – Kreu i PS-së, Edi Rama, foli dje për disa masa që PS do të merrte në vigjilje të festimit të 100-vjetorit të pavarësisë. Ai prezantoi nismën “Ngri Flamurin”, që konsiston në vendosjen e nga një flamuri në çdo shtëpi të shqiptarëve. Ai foli për mbledhjen bashkë të 100 ëndrrave, ku 100 të rinj do të prezantojnë ëndrrat që kanë thurur në vendin.
Deti
Kreu i PS-së – “Të nisë negocimi për marrëveshjen e ujërave”
Kryesocialisti Rama i kërkoi dje qeverisë t’i jepte fund procesit të ndarjes së detit me Greqinë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë. Sipas kreut të opozitës, Shqipëria, pas një shekulli pavarësi, vijon të ketë kufij të pandarë dhe marrëdhënie konfliktualiteti me fqinjët. “Janë 300 kilometra katrorë të detit të vendit tonë që me një marrëveshje të shpallur antikushtetuese i kanë kaluar fqinjëve. Sot, besoj është ditë e mirë për t’i bërë një apel Kryeministrit dhe për t’i kërkuar që të bëjë gjithçka që i takon në respekt të historisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për ta rinegociuar këtë marrëveshje dhe për ta mbyllur këtë burim konflikti potencial, që mund të bëhet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm dhe ardhmërinë e dy vendeve tona, Shqipërisë e Greqisë”, deklaroi Rama, duke shtuar se ky problem ka rrjedhur nga veprimi qorrazi i kreut të qeverisë.