15 nëntor – Kuvendi ka të përfshirë në kalendar votimin e tre ligjeve që kërkohen si kusht nga ana e BE-së


3/5 – Për votimin e tre ligjeve duhet një votim i cilësuar, kartonat pro të 3/5 e deputetëve


20 nëntori – Qeveria ka përcaktuar se tre ligjet duhet të votohen përpara datës 20 nëntor


KRIZA POLTIKE


Rama fton tryezën me PD-në, Berisha: Ulemi, për 3 ligjet, jo për qarkun e Fierit


Kreu i PS-së: Të mbyllim përfundimisht Fierin. Kryeministri: Preteks për të bllokuar integrimin


BLEDAR HOTI


Sali Berisha & Edi RamaNjë zhvillim surprizë ndodhi dhe në arenën politike ku Edi Rama, si lideri i forcës më të madhe të opozitës parlamentare i shtriu dorën kundërshtarit politik, kreut të PD-së, Berisha duke e ftuar në një tryezë dialogu për zgjidhjen e ngërçit politik. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e dhe pse ndodhej në Kosovë, ftoi publikisht kryeministrin Sali Berisha në një tryezë ndërpartiake për të zgjidhur çështjen e qarkut të Fierit, si dhe për diskutimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave. Lideri i opozitës, ka bërë ftesë për një tryezë parlamentare për të diskutuar për çështjen që përbëjnë ngërçin politik në vend. Në një njoftim të zyrtar të PS-së theksohet se “Edi Rama i bën apel kryetarit të Partisë Demokratike, atij të LSI, si edhe kryetarëve të PDIU e të PR për një përpjekje të përbashkët për zgjidhjen e problemit të Fierit dhe hapjen e rrugës për votimin e Rregullores së re të Parlamentit si edhe dy ligjeve të përcaktuara nga KE si të nevojshme (edhe pse jo përcaktuese) në rrugën e marrjes së statusit. Edi Rama shpreh publikisht mendimin se një tryezë e partive parlamentare nesër(sot) është një mundësi për të zgjidhur problemin e rëndë të qarkut Fier duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë”. Rama ka shmangur nga tryeza dy partitë PBDNJ dhe FRD, kjo me synim e mos nxjerrjes së ndonjë kapriçioje nga Berisha për uljen në tryezë të partisë që drejtohet ish-presidenti Bamir Topi. “Kush e dëshiron vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë ka detyrimin të bëjë çdo përpjekje deri në fund dhe Edi Rama është i gatshëm për ta përmbushur detyrimin e opozitës duke e bërë deri në fund përpjekjen në emër të PS. Edi Rama shpreh vullnetin e mirë për t’u ulur në tryezën e dialogut që nesër dhe për të kërkuar rrugën e zgjidhjes së bashku me palën kundërshtare në emër të interesit të vendit. Çështja e Fierit është një çështje e funksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës dhe çështja e miratimit të tre akteve është një çështje e integrimit që s’mund të kuptohet pa funksionimin e demokracisë e të shtetit të së drejtës. Problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. Partia Socialiste është gati të japë kontributin e saj deri sekondën e fundit”, thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Duke theksuar se


opozita shqiptare nuk ngurron të eksplorojë çdo mundësi që së paku këto tre akte të miratohen, PS shprehet se “i takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë ose jo idenë e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, në një tryezë të partive parlamentare. E nëse e pranon edhe të caktojë orën dhe vendin e ballafaqimit”.


Reagimi i PD-së


Tre orë pas ftesës publike, erdhi dhe reagimi po në të njëjtën mënyrë nga PD-ja, e cila shprehej skeptike për nismën e liderit të PS-së, pasi në negociata qëndron sërish qarku Fier. “Zoti Rama botoi pasdite një deklaratë në të cilën përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë e bllokimit të votimit të këtyre ligjeve me forca të tjera parlamentare që kanë qenë dhe janë të gatshme në çdo kohë për votimin e tyre. Kështu, në deklaratën e tij ai lidh përsëri votimin e ligjeve në Parlament me situatën e Fierit,  gjëra këto, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Për më keq, ai kërkon thirrjen e tryezës politike të partive parlamentare për të zgjidhur problemin e qarkut te Fierit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për t’i hapur rrugë zbatimit të vendimit të kësaj Gjykate. Me këtë kërkesë, Z. Rama, dëshmon edhe një herë vullnetin e tij të pandryshuar, për të bllokuar votimin e këtyre ligjeve dhe statusin e kandidatit për Shqipërinë. PD është e gatshme të ulet në çdo tryezë, të diskutojë me PS çdo amendament apo propozim që ajo mund të paraqesë për tekstet e këtyre ligjeve që prej 2 muajsh presin të votohen në Parlament”, tha zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi. PD thekson se për qarkun e Fierit ajo e ka dhënë zgjidhjen politike dhe kushtetuese, pikërisht mocioni për të gjithë këshilltarët.


 


 


 


Grupi i PS-së


Partia Socialiste ka mbledhur dje paradite grupin kuvendor. Mbledhja e grupit u drejtua kreu i grupit, Gramoz Ruçi dhe është diskutuar në lidhje me 3 ligjet që janë në rendin e ditës. Është vendosur që vendimi final të merret të enjten paradite, pasi të vendoset për tryezën ose jo.


PDIU


Idenë e një tryeze politike e hodhi si tezë PDIU-ja më 2 nëntor, duke kërkuar që në prag të 100 vjetorit politika të gjejë një konsensus për çështjen e integrimit. Për PDIU-në kjo tryezë duhet të thirret nga ana e kreut të shtetit, Bujar Nishani.


 


Fieri


Qarku i Fierit është një nga tema që PS-ja kërkon të hedhë në tryezën e bisedime, nëse realizohet tryeza mes partive


parlamentare


 


Rregullorja


Rregullorja e re Parlamentit është një nga kushtet e vendosura nga KE-ja ndaj Shqipërisë, si një hap që do të mundësojë marrjen e statusit


 


Statusi i nëpunësit


Ligji i administratës së lartë publike është një nga kushtet e vëna nga ana e Komisionit Evropian dhe për këtë Kuvendi duhet ta miratojë


 


 


 


Gjykata e Lartë


Komisioni i Ligjeve ka shqyrtuar draftin e Gjykatës së Lartë, porse PD-ja nuk mori në konsideratë propozimet e opozitës për përmirësime


 


 


 


Islami


Deputeti Kastriot Islami e përshendeti qëndrimin e PS-së, ku sipas tij u tërhoq nga kushtëzimi i Fierit. Në reagimin e tij thekson se kjo u mundësua nga ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve