rama ne fierPartia Socialiste ka prezantuar dje në mbrëmje kandidatët e qarkut të Fierit, lista e të cilëve kryesohet nga Gramoz Ruçi.


Një nga kandidatët më të rinj në Fier, jo edhe aq për nga mosha, Erjon Braçe i bëri thirrje qytetarëve të tre zonave që përmbledh ky qark, Fierit, Lushnjës e Mallakastrës, të votojnë Rilindjen e Partisë Socialiste, për të mos lejuar kryeministrin Berisha, siç u shpreh ai, që të rrëmbejë pasuritë e shqiptarëve.


“Ju keni detin, por atë jua pengon Sali Berisha ta përdorni. Ju keni naftën, por edhe atë po jua vjedh Sali Berisha.


Ju keni tokat anembanë Myzeqesë, ju pengon t’i gëzoni dhe t’i punoni Sali Berisha. Ndaj, gjithsecilit prej jush, i kërkojmë të na mbështesni, të na jepni forcën dhe fuqinë tuaj, me qëllim që në datën 24 qershor në mëngjes, edhe Fieri ashtu si gjithë Shqipëria, të ketë qeverinë e tij, atë të së majtës, të socialistëve dhe Edi Ramës”, u shpreh Erjon Braçe.


Pas prezantimit, që Gramoz Ruçi i bëri një nga një të 16 kandidatëve socialistë, Edi Rama iu referua ndryshimit mes fushatës së socialisteve dhe asaj të kundërshtarit politik, presionit që ushtrohet ndaj qytetarëve për t’i çuar në mitingjet e Partisë Demokratike.


“Para pak ditësh, Saliu erdhi këtu dhe e mbushi sheshin me robër. Ne sot jemi këtu dhe sheshi është i stërmbushur me qytetarë. Me qytetarë që, së bashku me qytetarët e gjithë Shqipërisë, më 23 qershor do të çlirojmë edhe robërit e qeverisë. Që të mos ketë kurrë më mësues, mjekë, infermierë, nëpunës të shtetit, që merren zvarrë për qokat e pushtetit. Që të mos ketë kurrë më drejtorë në shkolla, në spitale, në administratë, që dhunojnë shërbëtorët e shtetit, që dhunojnë zgjedhësit që votojnë për herë të parë, që dhunojnë mësuesit, që dhunojnë këdo me bukën e qeverisë. Pas 23 qershorit shtetit do të jetë i qytetarëve dhe qeveria do të jetë e të gjithë shqiptarëve”, tha Edi Rama.


Më tej lideri i opozitës u kërkoi demokratëve të Fierit të mos votojnë si militantë, por si qytetarë të Shqipërisë.


“Demokratëve të Fierit dua t’u them: Më 23 qershor votoni si qytetarë të kësaj Republike, votoni si shqiptarë, si prindër, përpara se të votoni si anëtarë partie apo si mbështetës të një partie, që ju duhet ta ndihmoni të rilindë, duke mos e votuar në 23 qershor”, shtoi Rama.