rama nga selia e PSNga selia e Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi si domosdoshmëri rikonfigurimin e grupit të ri parlamentar që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, me qëllim siç tha ai krijimin e një skuadre të konsoliduar me plot energji të reja.


Rama ka falënderuar ata deputetë që nuk do të rikandidohen për kontributin e tyre në rezistencën opozitare.

Rama u shpreh se pavarësisht moskandidimit, ata kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e skuadrës, e cila do të punojë për të fituar zgjedhjet.


“Skuadra jonë përfaqësuese vazhdon në traditën e harmonizimit të gjeneratave, vazhdon në procesin zëvendësimit të qetë dhe të matur të brezave që i lenë stafetën njëri-tjetrit pa krijuar asnjë çarje dhe asnjë thyerje. Pra, do të kemi ata që e kanë përfaqësuar në vite Partinë Socialiste, do të kemi ata që ofruan rishtas për ta përfaqësuar bashkë me të tjerët”, tha Rama.


Rama për herë të parë konfirmoi kandidimin e tij në qytetin e Vlorës duke sqaruar simbolikën e kandidimit në këtë qytet.


“Po, unë kam vendosur që të jem në krye në listën e Vlorës, jo për Vlorën, po për Tiranën, Shkodrën dhe për Prishtinën, me mesazhin e kryeqytetit të pavarësimit të shtetit shqiptar dhe të fillimit të rrugës së shtetit shqiptar”, tha Rama.


Rama i dha fund të gjitha hamendësimeve dhe spekulimeve që lidhen me deputetin Erion Braçe, dhe u shpreh se ai është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

6 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)