Kryesocialisti Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “Twitter” pas dëninimit të Tahirit


Pas vendimit të gjykatës së Tiranës për shpalljen fajtor të deputetit socialist, Saimir Tahiri, për fyerje ndaj fëmijëve të kryeministrit Berisha, ka reaguar edhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Në komentin e tij në rrjetin social “Twitter”, Rama tha se deputeti Tahiri paraqiti në gjyq të gjitha provat dhe dëshmitarët, por kishte përballë gjykatësin qorr e shurdh.


“Deputeti Saimir Tahiri kishte edhe provat edhe dëshmitarët, por Babi kishte gjykatësin qorr e shurdh me emrin Çelik që refuzoi prova e dëshmi”, tha Rama.


Kryesocialisti Rama është shprehur më tej se pushteti kërkon ti mbyll gojën opozitës me gjobat 50- milionëshe.


“Gjobë 50 milion nga një gjykatë, e cila refuzon prova dhe dëshmitar e vetëm shfryn dufin e Babit që do që ti mbyllë gojën opozitës me gjoba”, ka shkruar Rama.


Gjykata e Tiranës ka dënuar sot deputetin socialist, njëkohësisht nënkryetar i grupit parlamentar Saimir Tahiri me 5 milionë lekë gjobë për fyerje dhe shpifje ndaj Shkëlzen dhe Argita Berisha. Fëmijët e kryeministrit Berisha kishin kërkuar nëpërmjet avokatit të tyre, dënimin me 8 milionë lekë. Në përfundim të dhënies së vendimit deputeti Tahiri deklaroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit. 25 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)