Lezhë, opozita bën të ditur pjesë të strategjisë antimanipulim
Edi Rama, lideri i opozitës shqiptare ka deklaruar për të parën herë publikisht se kanë qenë komisionerët e korruptuar socialistë që i kanë zgjatur jetën mazhorancës aktuale, ndaj në zgjedhjet e kaluara, komisionerët e opozitës do të zgjidhen sipas një skeme të rreptë dhe përzgjedhjeje spartane. “Të gjithë e keni parë Saliun kur vajton për komisionerët socialistë duke thënë që ‘si ka mundësi që vetë kryetari i PS dhe vetë deputetët e Partisë Socialiste hedhin hije dyshimi mbi komisionerët socialistë, unë i dua ata, i respektoj ata, unë i nderoj ata, ata bënë një punë të shkëlqyer’. Në fakt, e vërteta është se pa atë pjesë të komisionerëve, që korruptohen Saliu, nuk do të kishte qëndruar një ditë në karrigen e Kryeministrit. Ama është detyra jonë, detyra e gjithsecilit prej nesh, që të garantojmë se askush nuk i negocion 4 vjet nga jeta e tij, për çfarëdo oferte që i bëhet në ditën e zgjedhjeve”, deklaroi Rama dje nga Lezha ku është zhvilluar mbledhja e parë e të quajturit “Forumi i Zgjedhjeve”.
Lideri socialist, ka bërë të ditur disa detaje nga ajo që është cilësuar si “strategjia antimanipulim”. “Sot ne në ligj e kemi sanksionuar hapjen e çdo kutie ku ka bazë për dyshim, ashtu sikundër kemi rritur edhe dënimet për të gjithë ata që marrin pjesë në manipulim. Por mbi të gjitha sot ne kemi rritur mjaftueshmërisht vetëdijen brenda Partisë Socialiste, brenda popullit opozitar se tekefundit fare është mënyra sesi voton, ajo që përcakton edhe mënyrën sesi do qeverisesh. Mënyrën sesi do të votojmë do ta vendosim vetë duke mos lejuar që një votë e vetme të mund të keqpërdoret dhe të shpërdorohet nga kriminelë profesionistë zgjedhjesh. Kjo është detyra jonë dhe ne do ta përmbushim bashkërisht këtë detyrë. Është një detyrë që e kemi të gjithë së bashku. Kjo është rruga miqtë e mi. Në këtë rrugë ne nuk kemi asnjë rezultat tjetër të mundshëm veç fitores. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet jo për të ndërruar një Kryeministër me një tjetër, as për të ndërruar ca ministra me ca të tjerë. Ne duam që përmes fitores së zgjedhjeve të ndryshojmë historinë e këtij vendi, të ndryshojmë kapitullin në librin e këtij tranzicioni të stërzgjatur”, deklaroi Rama. Sekretari i PS, për çështjet e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, duke shpjeguar ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor ka folur për garancitë që jep ky kod, për sigurimin e zgjedhjeve. “Në reformën zgjedhore, që u realizua kemi më shumë garanci se ç’kemi pasur me ligjin e mëparshëm. Duke filluar që nga listat e zgjedhësve, me mundësinë që kemi për t’i kontrolluar dhe për t’i përgatitur në kohë, ashtu edhe në verifikimin e kartave në Tiranë, pasi ju e dini që Tirana ka qenë një platformë e vërtetë abuzimi edhe për faktin e lëvizjes së popullsisë në Shqipëri”. Shkrimtari Preç Zogaj, anëtar i koalicionit opozitar, ka deklaruar se standardet e zgjedhjeve vendosen vetëm nga njerëzit që duhet të mbrojnë votën e tyre. “Është shumë mirë që ashpërsohen dënimet ndaj manipulatorëve të zgjedhjeve, por zgjidhja e sigurt vjen nga një kulturë e re e mospajtimit popullor me prekjen e zgjedhjeve, duke e konsideruar një turp të madh nga ato që virtyti, ndërgjegjja dhe zakonet e popullit i konsiderojnë prekje në gjërat më të shenjta”, deklaroi Zogaj.
Ofertat – “Është detyra jonë, detyra e gjithsecilit prej nesh, që të garantojmë se askush nuk i negocion 4 vjet nga jeta e tij, për çfarëdo oferte që i bëhet në ditën e zgjedhjeve”