Kryetari i PD Lulzim Basha, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Drejtesise Nasip Naco, gjate nje konference me teme, "Reformimi i Sistemit Gjyqesor ne Shqiperi", organizuar ne hotel Tirana./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, Parliament Speaker Ilir Meta, Albanian President Bujar Nishani, Prime Minister Edi Rama and Nasip Naco, Minister Of Justice, at the Mazhoranca


Kryeministri kërkon takim jo me praninë e ndërkombëtarëve. I përgjigjet letrës së kryedemokratit. I paqartë në qëndrim


Forumi: Të ngremë bashkërisht, duke nisur nga formati i suksesshëm i Dialogut të Nivelit të Lartë, një forum mes shumicës dhe pakicës, pa prezencën ndërkombëtare. Ky forum nuk do të zëvendësojë apo paralelizojë asnjë instancë tjetër të komunikimit institucional


Ftesa: Jemi plotësisht të hapur për çdo propozim nga ana juaj, lidhur me formatin dhe mënyrën e funksionimit të këtij forumi. Por paraprakisht dëshirojmë të dimë nëse edhe ju e dëshironi këtë përpjekje të re për komunikim mes nesh


Balla: Është e papranueshme dhuna e minorancës. Mungesa në seancë e Gent Strazimirit dhe çështja penale që lidhet me të. Sjellja në Kuvend na bën të kuptojmë se ka një hezitim për t’u përgjigjur pozitivisht.


ARTEMISA HOXHA


Kryeministri Edi Rama i kthen deklaratat publike në veprime konkrete duke ftuar në tryezë politike kundërshtarin politik, kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas një thirrjeje publike të lëshuar nga konferenca për shtyp me komisionerin për Zgjerimin të BE-së, Johannes Hahn, Rama i ka dërguar një letër Bashës ku u kërkon të ulen në një tryezë për të nisur dialogun e nivelit të lartë politik. Por kryeministri kërkon që në këtë takim të mos ketë ndërhyrje ndërkombëtare, pra të mos bëhet në prani të ambasadorëve të BE-së apo SHBA-së. Kreu i qeverisë është treguar i kujdesshëm në letrën e tij, duke theksuar se ky forum nuk do të prekë asnjë instancë tjetër institucionale, siç është Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi. “Zoti Basha, nëpërmjet kësaj letre (të hapur edhe për publikun) dua të formalizoj ftesën time të djeshme publike, bërë gjatë konferencës për shtyp me komisionerin Hahn, që të ngremë bashkërisht, duke nisur nga formati i suksesshëm i Dialogut të Nivelit të Lartë, një forum mes shumicës dhe pakicës, pa prezencën ndërkombëtare. Në këndvështrimin tonë, ky forum i përbashkët, nuk do të zëvendësojë apo paralelizojë asnjë instancë tjetër të komunikimit institucional, të përhershëm apo të përkohshëm, mes koalicionit qeverisës dhe opozitës”, shkruan Rama në letrën drejtuar Bashës. Por që të realizohet kjo, për kreun e mazhorancës edhe pala në opozitë duhet të ketë të njëjtin vullnet për të rënë dakord për çdo modalitet që do të jetë i nevojshëm për secilën palë politike. “Ky, sipas nesh, do të ishte, natyrisht nëse edhe ju do të keni të njëjtin vullnet si edhe ne për të diskutuar hapur, sy më sy, sipas axhendave e modaliteteve të rëna dakord plotësisht, një mekanizëm më shumë në komunikimin e nevojshëm mes palëve politike në Shqipëri. Le të provojmë t’u japim qoftë njerëzve tanë e qoftë partnerëve të këtij vendi provën e një vullneti të përbashkët për t’i dhënë mosdakordësinë politike mes palëve, një përmasë kaq të munguar civilizimi. Jemi plotësisht të hapur për çdo propozim nga ana juaj lidhur me formatin dhe mënyrën e funksionimit të këtij forumi. Por paraprakisht dëshirojmë të dimë nëse edhe ju e dëshironi këtë përpjekje të re për komunikim mes nesh”, shkruan ndër të tjera kreu i qeverisë. Duke i kërkuar z. Basha të shprehë vullnetin e tij nëse është dakord për një forum të tillë, Rama i lë mundësinë edhe të propozimit të formatit dhe mënyrës së funksionimit të këtij forumi. “Ne jemi gati, po ju a jeni gati?”, mbyll Rama letrën e tij.


Ai që paralajmëroi dhe kërkoi në të njëjtën kohë rifillimin e dialogut me palëve këtë herë në një tryezë të përbashkët politike, ishte nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.


Reagimi ndaj Bashës


Kryeministri Edi Rama ndërkohë i është kundërpërgjigjur letrës së Bashës. Në orët e vona, në një reagim në Facebook, Rama e cilëson qëndrimin e kryedemokratit si të paqartë nëse do një tryezë politike ose jo. “Sot, i kam nisur zyrtarisht ftesën këtu bashkëngjitur, zotit Lulzim Basha. Sapo ka mbërritur mbi tavolinën time, përgjigjja e tij, këtu bashkangjitur gjithashtu. Ju lutem më thoni nëse jam unë gabim apo ka diçka që nuk shkon fare në përgjigjen në fjalë! Sepse më ngjan që letërshkruesi është përpjekur të thotë shumë gjëra njëherësh, po si përfundim nuk merret vesh cila është në fakt përgjigjja për ftesën(?!).


Po? Jo? Ndoshta po, ndoshta jo? As po, as jo? Apo thjesht asgjë?


Sidoqoftë e përsëris, ne jemi gati. Në ftesën tonë, kemi qenë shumë të qartë që nuk imponojmë asgjë (natyrisht as nuk mund të na imponohet kurrgjë). Dëshirojmë një forum dialogu konstruktiv dhe konkret, me axhendë çështjesh të dakordësuar 100%. Do të ishte shumë mirë të ndodhte për arsyet që kemi thënë, por ndërkohë ndodh s’ndodh, ne vazhdojmë me përkushtim punët tona në çdo drejtim. Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër. Njerëzit na gjykojnë të gjithëve!”, shkruan Rama në Facebook.