Kreu i PS-së në “Top Story”: Drejtorët po na japin informacion fshehtas për presionet 


Fatjona Mejdini  


Rama ne fushateKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi dje se Aleanca për Shqipërinë Europiane e udhëhequr nga PS arrite të merrte me zgjedhje normale 77 deputetë. Rama, në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, përballë gazetarit Sokol Balla dhe analistëve të shtypit të shkruar theksoi dje se kjo bindje i vinte nga sondazhet e brendshme të PS-së, të cilat jo vetëm që tregonin një rritje të mbështetjes së socialistëve, por dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rama foli gjatë mbi marrëdhëniet e tij me Metën, pozicionin e 21 janarit në këtë koalicion dhe po kështu për qeverisjen e ardhshme dhe raportet që ajo do të kishte me qytetarët.


Aleanca


Jo pa entuziazëm Edi Rama theksoi se sondazhet e fundit të brendshme, të realizuara mbi target grupe e kanë bërë PS-në optimiste. “Ne me sondazhet tona konstatojmë një rënie nga ana e mazhorancës dhe një rritje të opozitës. Po bashkë me rritjen e PS-së është rritur dhe LSI-ja dhe kjo lidhet me vrasjen e frikës për ruajtjen e votës, e cila ka qenë problematike në zgjedhjet e shkuara”, theksoi Rama, duke shtuar se opozitarët tashmë dukeshin më pak të merakosur për çështjen e ruajtjes së votave. Nga ana tjetër, Rama theksoi se rritja e mbështetjes, dukej qartë në këto zgjedhje edhe për shkak se një pjesë e madhe e drejtuesve të policisë dhe institucioneve kontaktojnë fshehtas me opozitën. “Drejtues policie na kontaktojnë në mënyrë të fshehtë për të na dhënë informacione, po kështu dhe drejtues të institucioneve, në radhët e mësuesve, të cilët pavarësisht presionit, po rritet në mënyrë të ndjeshme mbështetja”, theksoi Rama, duke shtuar se vetë punonjësit e administratës po shikonin sesi shteti po kalbej nga brenda. Ndonëse ai pranoi se presioni që po bëhej ndaj administratës shtetërore nga partia në pushtet ishte i jashtëzakonshëm dhe se do të merrte fund njëherë e mirë në 23 qershor. “Kemi hyrë në një fazë që ka nisur një presion shumë i madh, fenomen që nuk ndodh në një vend demokratik. Ne do t’i japim fund njëherë e mirë pas 23 qershorit”, premtoi Rama. Nga ana tjetër, ai hodhi poshtë të gjitha aludimet se mes tij dhe Metës kishte rivalitet për sa i përket çështjes së zgjedhjes së Kryeministrit të ardhshëm. “Kush do jetë Kryeministri do e vendosë rezultati ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta”, theksoi Rama. Në këtë kuadër, ai shtoi se vetë përfshirja e Spartak Brahos si përfaqësues i LSI-së në listat e PS-së, më shumë se një mandat më tepër për partinë e Metës, ishte një simbol që tregonte se pas zgjedhjeve, këto parti do të funksiononin si një mazhorancë e bashkuar për të pasur një qeverisje më të mirë. Dje Rama shpjegoi dhe njëherë se 21 janari i 2011-s ku humbën jetën katër qytetarë që protestonin, nuk ishte një çështje në mes të dy partive tashmë opozitare dhe që pas qershorit pritej të qeveriste vendin. “Katër të vrarët nuk janë mes nesh dhe LSI-së, por mes drejtësisë dhe urdhëruesve. Me  kryetarin e LSI-së kemi një dakordësi të plotë të plotë për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund”, theksoi Rama në mënyrë të prerë në lidhje me këtë çështje.


Qeverisja


Kreu i PS-së foli dhe për qeverinë e re që priste të merrte pushtetin pas 23 qershorit, duke shtuar se ekzekutivi i ri do të jetë transparent dhe në shërbim të interesave të qytetarit. Ai deklaroi se në këtë kuadër dhe ndarja e mandatave mes deputetëve dhe ministrave është pjesë e një kodi etik të ri për sjelljen e qeverisë me publikun. Nga ana tjetër, Rama theksoi se qeveria e re do të kishte një taksë progresive për individët, dy nivele për taksën e biznesit dhe një taksë për biznesin e madh. Ai gjithashtu theksoi se taksat në vend do të reduktoheshin ndjeshëm. Sipas Ramës, do të kishte taksë zero për disa ushqime dhe artikuj të tjerë. “Ne do të ulim taksat për 95 për qind të shqiptarëve”, theksoi Rama, duke shtuar se do të kishte dhe ulje të TVSH-së. Në këtë kuadër, ai theksoi se do të kishte ulje të TVSH-së për energjinë. Nga ana tjetër, kryesocialisti theksoi se qeveria e ardhshme do të jetë e vendosur për të bërë realitet hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët dhe foli vetëm për një administratë tatimore në të gjithë vendin.


 


Qeverisje me LSI


“Ky bashkim dhe një qeveri që del nga një fitore e thellë dhe e pastër, e bën më të vetëpërmbajtur qeverinë”