PS kërkon ndryshimin e Kushtetutës për paketën e drejtësisë


Kreu i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë ka mbajtur qëndrim në lidhje me çështjen e imunitetit dhe ndryshimet kushtetuese. Lideri i opozitës bëri të ditur se do të ketë rishikim të Kushtetutës për të gjithë sistemin e drejtësisë. “Ne s’kemi asnjë ekuivok në qëndrimin tonë për imunitetin, duhet kufizuar dhe pikë. Por sot, Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim, në funksion të një reforme në drejtësi, që të krijojë kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi. Çdo shqiptar e di se si kanë përfunduar në komedi gjyqet për ministrat e zhveshur nga imuniteti. Është koha për një debat shumë serioz dhe për një ndërhyrje shumë serioze në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Rama. Më tej ai thekson se “imuniteti është hequr pa asnjë pengesë, po askush nuk është ndëshkuar. Prandaj është koha për një debat shumë serioz dhe për një ndërhyrje shumë serioze në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Imuniteti është vetëm një pikënisje po jo një pikëmbërritje për ta realizuar këtë ndërhyrje siç duhet dhe siç duam. Ne s’kemi asnjë ekuivok në qëndrimin tonë për imunitetin, duhet kufizuar dhe pikë. Por sot, Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme në drejtësi që të krijojë kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi”. “Muri që rrethon sot oborrin e të pandëshkueshmëve nuk është imuniteti kushtetues, po pushteti që ka kapur drejtësinë. Prandaj s’ka gjë më qesharake se sa kur Kryeministri bën sikur po thërret në ndihmë opozitën, për të shembur murin e korrupsionit përmes heqjes së imunitetit. Atë mur nuk po e lartëson përditë imuniteti kushtetues, po korrupsioni i pushtetit që po grabit e shkatërron Shqipërinë dhe drejtësinë bashkë. Prandaj nuk ka neveri më të përligjur se sa kur Kryeministri përgojon ligësisht opozitën, sikur ne paskemi nevojë për imunitetin që të mbrojmë, sipas tij, një grup miliarderësh brenda PS”, theksoi Rama.


 


Drafti – Në mbledhjen e këshillit, e thirrur me urgjencë, u paraqit një relacion në të cilin mungonin firmat e Majkos dhe Palokës


Xhafaj – Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, pas mbledhjes, u shpreh se opozita nuk e dha votën, pasi ka një paketë në tërësi për Kushtetutën


Ngërçi – Socialistët kërkojnë prekje të Kushtetutës dhe për mënyrën e zgjedhjes së prokurorit e gjyqtarëve, por PD është kundër


6 gushti -Paketa për kufizimin e imunitetit është parashikuar të votohet në seancën plenare në datën 6 gusht


28 deputetë – Për të ndërmarrë nisma për ndryshimin e Kushtetutës duhet një numër i caktuar firmash të deputetëve si iniciatorë


84 vota – Ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Ato nuk mund të realizohen pa konsensus PS-PD