Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka lançuar iniciativën e tij më të fundit, që lidhet me ndërtimet pa leje në territorin e Shqipërisë. Stoprrenimit.com kjo është adresa në internet ku çdo kush sipas Edi Ramës “mund të kthehet në kontributor në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj”.
“Celulari juaj,-shkruan Rama në këtë faqe internet,- mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare”.
Më tej Rama shpjegon rëndësinë e përfitimit të çdo lloj informacioni nga terreni kur thotë: “Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”.
17 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com)