edi rama 1“Sot kemi një koalicion që është më i madh dhe përballë kemi një kundërshtar të vetmuar. Jemi të vendosur të zgjerojmë edhe më shumë koalicionin dhe nga ana tjetër ta lëmë edhe më të vetmuar kundërshtarin.”


Kështu u shpreh Edi Rama pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala. Kreu i Partisë Socialiste shtoi se “ky koalicion u jep shqiptarëve sigurinë e munguar për votën e tyre dhe e dobëson konsiderueshëm forcën manipuluese të kundërshtarit që për dy zgjedhje rresht është imponuar përmes manipulimeve duke përfituar edhe nga ndasia jonë që tashmë i përket të shkuarës”.


“Vota opozitare e abuzuar dhe e vjedhur në të shkuarën, sot është më e sigurtë se anjëherë tjetër. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar nga zotimet tona të programit të Rilindjes për një Shqipëri ndryshe”, shtoi Rama.


Ndërsa Luis Ayala përgëzoi koalicionin PS-LSI në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit duke e konsideruar si “parakusht për fitoren”: “E përgëzoj bashkimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës për këtë koalicion të madh. Ky bashkim ishte një parakusht për fitore dhe tashmë është realitet. Është moment unik për vendin tuaj sepse jemi përballë ndryshimit. Do të lihet pas e shkuara me zgjedhje jo të lira e të ndershme. Këtë radhë do të ketë zgjedhje të lira. Koha e qeverisë aktuale ka skaduar, nuk ka më premtime për të përmbushur. Nga ana tjetër kemi një koalicion me ide të reja dhe program për ndryshim që bazohet në demokraci.”


Ayala takon Metën


Luis Ayala, sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, është shprehur pas takimit në Tiranë me kreun e LSI-së, Ilir Meta, se koalicioni PS-LSI mund të sjellë ndryshimin e madh politik për shqiptarët.


“I kemi ndjekur me kujdes zhvillimet politike në Shqipëri kohët e fundit dhe ky është një moment i rëndësishëm për vendin tuaj. Mund të kemi një ndryshim rrënjësor dhe janë marrë vendimet e duhura për këtë ndryshim. Falenderoj Metën dhe Ramën për vendimin që kanë marrë. Duke krijuar koalicionin dhe duke bashkuar forcat mund të realizojnë atë që duan shqiptarët. Politika premton një të ardhme më të mirë falë vendimit të kreut të Partisë Socialiste dhe atij të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe për Internacionalen Socialiste”, deklaroi Ayala në një prononcim për mediat.


Nga ana e tij, Ilir Meta theksoi se koalicioni me PS-në “synon rritjen e mundësive për të majtën e bashkuar për të patur sukses në zgjedhje dhe për të kontribuar në sfidat e vendit në të ardhmen.”