edi-rama-konferenceNën drejtimin e kryeministrit të vendit Edi Rama, është mbledhur pasditen e sotme Këshilli Ekonomik Kombëtar. Fjalën e tij në këtë mbledhje kreu i qeverisë ja ka kushtuar pothuajse tërësisht operacionit të paralajmëruar që hertë nga ekzekutivi për të luftuar informalitetin në ekonomi, operacion që siç tha Rama do të jetë i ngjashëm me atë të energjisë, të marrjes në mbrojtje të territorit, të sistemit të arsimit.


“Kjo mbledhje e parë që çel edhe sesion e ri politik i është kushtuar luftës kundër informalitetit që ne e kemi paralajmëruar para periudhës së verës dhe hyn në një fazë të re që nga nesër. Ne besojmë se për ekonominë shqiptare dhe çdo biznes që ushtron veprimtari të ligjshme dhe paguan detyrimet është domosdoshmëri që qeveria dhe shteti të bëjnë një hap të rëndësishëm dhe shumë të vendosur për të luftuar paligjshmërinë dhe çdo shfaqje të saj në vend dhe për ta vënë përfundimisht shtetin në krah të konsumatorit dhe në mbrojtje të biznesit të ndershëm. Kemi besim se tanimë kemi një plan të mirëstudiuar për t’ju përgjigjur kësaj sfide.

Operacion kundër informalitetit do te jetë i ngjashëm me atë të energjisë, të marrjes në mbrojtje të territorit, të ndarjes në sistemit të arsimit mes atyre që ushtrojnë aktivitet të ligjshëm nga ata që e kishin kthyer në një hapësirë abuzivizmi. Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e 300 ditëshit të tretë të mandatit tonë të parë dhe do të harmonizojë punën mes doganave, tatimeve dhe policisë së shtetit”, tha Rama.


Rama e ka cilësuar këtë aksion një proces që nuk është tentuar në parë dhe që sipas tij nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat, kontributet, ekonominë, por me shtetbërjen dhe kalimin e Shqipërisë nga një vend i rrënuar institucionalisht si ai që qeveria e tij trashëgoi në një vend të BE.


Kryeministri bëri edhe një herë të qartë se ky operacion nuk duhet parë si një luftë kundër biznesit, ‘por një betejë krah për krah me çdo konsumator dhe biznes të ndershëm që paguan taksat dhe cenohet çdo ditë nga konkurrenca e pandershme. Ai u shpreh optimist për mbarëvajtjen e këtij procesi, që sipas kryeministrit ka nisur të japë shenjat pozitive, duke qenë se në muajin gusht ka pasur një rritje të dukshme të bizneseve të regjistruara në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa shtoi se 600 grupe të plotësuar me përfaqësues të agjencive të ndryshme, do të jenë në terren me orar të zgjatur për të mundësuar suksesin e këtij aksioni.


Ndërsa paralajmëroi sanksione të ashpra për të gjithë shkelësit, kreu i qeverisë u bëri thirrje konsumatorëve të ndërgjegjësohen dhe të kërkojnë kuponin tatimor, si një kontribut për të pasur më shumë investime dhe rritje rroga.


31 gusht 2015 (gazeta-Shqip.com)