rama me banoret 2Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasditen e sotme ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e njësisë numër 6 në zonën e Kombinatit  në Tiranë.


Rama shprehu besimin se koalicioni ” Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të fitojë me një rezultat të thellë në zgjedhjet e qershorit, ndërsa akuzoi qeverinë se ka rritur taksat e biznesit të vogël, ndërsa premtoi heqjen e taksës për këtë biznes brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.


“Saliu në 2005 premtoi përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël i përgjysmoi vitin e parë, dhe vitin e dytë i doli bishti pas dardhës dhe iu vuri taksën e sheshtë, 1 vit më vonë ju vuri TVSH. Faktikisht me Saliun u nisët me përgjysmim dhe e hëngrët 3-fish. Kështu ndodh me të gjitha premtimet e tij. Me Saliun duhet pasur kujdes kur premton diçka se aty ku premton do e hash me keq sa je. Kështu ndodhi me biznesin e vogël, kështu ndodhi me fermerët që i tha do jua bëj naftën 400 lekë dhe sot është 800 lekë. Ne do e heqim taksën e biznesit të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do përgjysmojmë tatimin e fitimit që ju sot e keni 10%. Do marrë fund taksimi i dyfishtë dhe do marrim vetëm gjysmën e saj”, u shpreh Rama.


Kryetari i PS nuk la pa sulmuar edhe punën e pasardhësit të tij në Bashkinë e Tiranës, Luzlim Basha duke e vlerësuar një Kryebashkiak vetëm në kutinë e televizorit dhe asgjë më shumë.


“Problemi më i madh që ne kemi me qytetet tona është infrastruktura arsimore dhe sociale. Kur drejtonim Bashkinë e Tiranës kemi bërë shumë në këtë drejtim, por qeveria ka refuzuar t’i japë troje Bashkisë për të ndërtuar çerdhe dhe shkolla, ka privatizuar asetet publike për klientët, miqtë e me radhë. Do e ndryshojmë këtë qasje, jemi të vendosur t’u japim lagjeve mbështetjen për të funksionuar si qendra komunitare. Në 8 maj ndryshoi drejtimi i Bashkisë, por deri sot kemi një kryetar Bashkie vetëm në kutinë e televizorit dhe asgjë më shumë. Janë hapur rrugë dytësore me kohë dhe akoma s’po mbarojnë. Këto janë pasoja e një drejtimi që buron nga vjedhja e votës”, theksoi Rama.


21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)