Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një bashkëbisedim të hapur me studentët e ekselencës në Qytetin Studenti për t’iu paraqitur atyre vizionin dhe programin qeverisës të opozitës për këtë shtresë dhe për të rinjtë në tërësi.
Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti Rama u ndal tek sistemi arsimor, sidomos tek ai universitar, që sipas Ramës është shndërruar në industrinë më të madhe në vend të prodhimit të diplomave pa vlerë.
Rama kritikoi politikat e qeverisë, që sipas tij ka hapur dyert e universiteteve publike e private, por pa zbatuar më parë politika se si të punësojë këta të rinj. Lideri i PS-së, vuri theksin tek arsimi profesional si një alternativë për përgatitjen e të rinjve për t’u përshtatur më lehtë me tregun e punës.
“Sot prej tetë vjetësh qeveria ka vendosur që problemin e papunësisë rinore ta trajtojë duke mos e trajtuar, duke u thënë vajzave dhe djemve në shkollë të mesme bujrum shkoni në universitete dhe duke rritur në mënyrë të papërgjegjshme numrin e universiteteve private në atë shkallë që industria më e madhe në Shqipëri është industria e prodhimit të diplomave pa vlerë”, tha Rama.
Duke marrë shkas nga ngjarja për të cilën është folur gjerësisht sot në media, lidhur me një incident të ndodhur në Vjenë mes kreut të PS dhe diplomatit Egin Ceka, Rama deklaroi se asnjë fëmijë deputeti, ministri apo edhe i afërm i tyre, nuk do jetë në ambasada.
“Është bërë një sqarim nga zyra e shtypit dhe sinqerisht është për të ardhur keq dhe mëshiruar këtë gjendje në të cilën ndodhet ky pushtet, kjo qeveri, ky kryeministër, që angazhohen në një batërdi në mes të parlamentit për të ngritur një valë mbi hiçin, mbi diçka që duhet rregulluar dhe do ta rregullojmë patjetër pas 23 qershorit.
Unë zotohem se kush do jetë deputet apo ministër të harrojë se do çojë djalë, vajzë, teze, hallë, dajë e deri tek kushëriri i tretë, tek një ambasadë që përfaqëson Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
25 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)