Kreu i PS, Edi Rama ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me të rinjtë e komunës së Petrelës, para të cilëve ka prezantuar programin e Rilindjes.
Kryesocialisti ka premtuar para të rinjve se me ardhjen në pushtet pas 23 qershorit, PS do t’i japë rëndësi të veçantë reformimit të sistemit arsimor, pasi sipas tij sistemi aktual nuk garanton asnjë perspektivë.
“Ne jemi të vendosur që t`i kthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t`ua kthejmë investimet prindërve tuaj që sakrifikojnë shumë për t`ju çuar juve në shkollë, por njëkohësisht t`ju kthejmë juve në fund të këtij rrugëtimi investimin e energjive të kohës dhe të mundit tuaj për t`u pasuruar me dije”, – ka theksuar Rama.
Më tej kreu i PS është ndalur tek çështja e fshatit, i cili sipas tij aktualisht është zhytur në mjerim dhe varfëri dhe nuk u ofron asnjë lloj mundësi të rinjve që jetojnë në të, ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera europiane, ku sipas Ramës nuk ka më fshatarë të varfër.
Ai shprehu angazhimin se qeveria e re pas 23 qershorit do t’u krijojë mundësi banorëve të fshatit që të mund të jetojnë dhe krijojnë mirëqenien përmes tokës dhe punës së tyre.
“Toka sot nuk u jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqenie dhe ne duam që toka ta bëjë këtë. Ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ka më fshatarë të varfër. Sepse toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jete normale për gjeneratat e reja të fshatit”, është shprehur Rama.
14 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)