
Kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritetin e tij për jetët e humbura gjatë sulmit të djeshëm në Mynih, ku mbetën të vrarë 9 persona, mes të cilëve tre shqiptarë me origjinë nga Kosova.
Në një status në profilin e tij në “Facebook”, kryeministri shkruan: “Trishtim i thellë për jetët e humbura në sulmin barbar të Mynihut mes të cilave edhe jetë shqiptarësh! Solidaritet me Gjermaninë mike”.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta
Pak pas kreut të qeverisë, ka reaguar edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili ka shprehur solidaritet për jetët e humbura në Mynih. “Ndaj dhimbjen për jetët e humbura ne Mynih. Terrorizmi goditi përsëri. Lufta ndaj se keqes duhet të na bashkojë më shumë. Shpreh solidaritet me familjet që humbën të dashurit e tyre. Solidaritet me autoritetet gjermane dhe kancelaren Merkel. Është koha të reflektojmë dhe veprojmë si një bashkësi e së mirës ndaj së keqes. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve shqiptare që humbën të afërmit nga ky akt barbar”.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha
Një mesazh ngushëllimi ka dërguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha: “Kreu i PD, Lulzim Basha teksa ka shprehur ngushëllimin e tij për viktimate djeshme në Munih, e quan agresionin ndaj të pafajshmëve një akt çnjerëzor. “Jam i tronditur nga akti i verber, cnjerezor i te premtes ne Mynih te Gjermanise ku mes viktimave te pafajshme qe kane humbur jeten jane tre te rinj shqiptare. Sabina Sulaj, Armela Segashi dhe Diamant Zabergja humben jeten nga ky akt barbar. Ngushellimet me te thella familjeve Sulaj, Segashi dhe Zabergja. Kete moment te rende hidherimi dhe dhimbje kombetare jemi me zemer dhe mendje prane tyre, te bashkuar per ta perballuar dhimbjen e madhe”- thekson Basha.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, shpreh ngushëllimet më të ndjera për viktimat e pafajshme dhe solidaritetin për popullin gjerman, duke dënuar njëkohësisht me forcë aktet ekstreme dhe kriminale terroriste në Mynih.
“I dënoj me forcën më të madhe këto akte të nxitura nga organizata terroriste e që përmes radikalizimit të të rinjve apo njerëzve në dëshpërim, kërkojnë të terrorizojnë qytetarët tanë e të ndjellin frikë e panik në jetën e tyre të përditshme”.
Minisri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati
Terrorizmi godet sërish në zemër të Evropës. Thellësisht i trishtuar dhe i revoltuar nga dhuna barbare që i kushtoi jetën edhe bashkëkombasve tanë. Solidaritet me Kosovën dhe Gjermaninë. Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës vijojnë të ndjekin situatën në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane dhe mbeten në gatishmëri të plotë në ndihmë të bashkëkombasve tanë dhe familjeve të tyre.
23 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)